E Hënë, 2 Nëntor 2026

“Mbështetje e plotë për rrugëtimin e Shqipërisë në BE”/ Niko Peleshi pret në Kuvend komisioneren Marta Kos

Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, priti sot në një takim Komisioneren për Zgjerim të Bashkimit Europian, Marta Kos, mbi ecurinë e integrimit europian dhe prioritetet e këtij procesi pas çeljes së të gjithë kapitujve të negociatave. 

Gjatë takimit, Komisionerja Kos vlerësoi rezultatet e arritura nga Shqipëria, duke theksuar se vendi ka bërë progres mbresëlënës. 

“Është e lehtë të mbështesësh Shqipërinë për shkak të performancës së lartë. Zgjerimi e bën Europën më të fortë. Shqipëria në vitet e fundit ka bërë një punë të shkëlqyer. Vlerësojmë shumë mbështetjen popullore dhe konsensusin politik e parlamentar për integrimin në BE”, u shpreh ajo. 

Kryetari Peleshi nënvizoi angazhimin e palëkundur të Shqipërisë për integrimin evropian, duke e cilësuar atë si prioritet madhor dhe objektiv strategjik kombëtar. 

“Integrimi evropian ka rrënjë në historinë dhe identitetin tonë, në moton e rilindasve “për Shqipërinë dielli lind nga perëndon”. Kuvendi do të vazhdojë të garantojë legjitimitetin demokratik, transparencën dhe karakterin gjithëpërfshirës të procesit. Si Kryetar i Kuvendit do të mbështes aksesin dhe kontributin e opozitës dhe qytetarëve në integrim”, u shpreh ai. 

Në takim mori pjesë edhe Nënkryetari i Kuvendit, Agron Gjekmarkaj dhe Kryetari i Komisionit për Europën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani. Gjekmarkaj theksoi mbështetjen e opozitës për integrimin në BE, duke insistuar në rëndësinë e standardeve demokratike. 

Takimi u përmbyll me angazhimin e përbashkët për të çuar përpara ritmin e negociatave dhe forcimin e bashkëpunimit me institucionet europiane. 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›