Mbështetje grave rurale në përpunimin e fruta-perimeve në Leskovik

TIRANË, 4 korrik /ATSH/ Fermerë të Leskovikut kanë tashmë në funksionim pikën e re të grumbullimit dhe përpunimit për prodhimet e tyre.
Me sipërfaqe mbi 150 m2, pika e grumbullimit, laboratori i agrobiznesit “Duarartat”, u shërben fermerëve të zonës për grumbullimin, magazinimin, promovimin dhe tregtimin e prodhimeve të ndryshme që realizojnë ata.
Zëvendësministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Enio Civici, shprehu angazhimin e qeverisë për mbështetjen e investimeve të reja në drejtim të krijimit të pikave të grumbullimit që afrojnë më shumë fermerin me tregun.
Në përurimin e laboratorit të agrobiznesit “Duarartat”, i ngritur me mbështetjen e FAO-s Civici tha se, “ky inkubator është ngritur në kuadër të projektit “Gjinia, Barazi Rurale dhe Turizmi””.
Sipas tij, ky investim ka si qëllim të kontribuojë në fuqizimin e grave rurale në Shqipëri dhe të forcojë rolet dhe kontributin e tyre në zhvillimin rural në kontekstin e Axhendës së Zhvillimit të Qëndrueshëm 2030.
“Duarartat” fokusohet në përpunimin e frutave dhe perimeve dhe përgatitjen e stokut ushqimor dimëror, si një mënyrë inovative që synon të ofrojë mundësi për gratë dhe të rejat për t’u angazhuar në këtë sektor.