E Diel, 1 Nëntor 2026

Mbetet në burg pronari i drogës së Kakavijës

TIRANË- Gjykata e Krimeve të Rënda në kryeqytet, me kërkesë të prokurorisë, verifikoi mesditën e djeshme masën e sigurisë “arrest me burg” dhënë në mungesë ndaj personit nën hetim Eduart Belulaj, i dyshuar për kryerjen e veprës penale të trafikut të lëndëve narkotike në bashkëpunim. Gjatë seancës së djeshme të verifikimit të masës së sigurisë, i dyshuari Belulaj ka mohuar se është pronari i drogës së kapur në Kakavijë në qershorin e këtij viti. “Unë nuk e njoh Arben Kaçorrin dhe nuk kam të bëj me drogën të cilën ia keni kapur atij”,- tha ai duke iu drejtuar prokurorisë. Ndërsa, prokurori i çështjes Ardian Nezha, kundërshtoi pretendimin e Belulajt, duke i kujtuar se “kishte biseduar disa herë me të arrestuarin Arben Kaçorri në telefon, para sekuestrimit të drogës së tij në makinë, ku iu gjetën dhe sekuestruan katër kilogramë hashash dhe 300 gram kokainë”. Më pas prokurori kërkoi lënien në fuqi të vendimit të datës 12 korrik të Gjykatës së Krimeve të Rënda. Arrestimi i tij u krye tre ditë më parë, në Tiranë pas urdhër-arrestit të lëshuar nga prokuroria me dyshimet se Belulaj është pronari i drogës së sekuestruar më 26 qershor në pikën e kalimit kufitar të Kakavijës. Droga u gjet në makinën e mësuesit të matematikës Arben Kaçorri droga e fshehur në një kovë me salcë kosi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›