E Diel, 1 Nëntor 2026

Mbi 2 mln shqiptarë jashtë vendit, INSTAT: 77% janë të moshës aktive nga 15 deri në 64 vjeç

Gati gjysma e shqiptarëve jetojnë jashtë territorit të Shqipërisë. Sipas të dhënave nga Instituti i Statistikave, në vitin 2025 rreth 2.25 milionë shtetas shqiptarë jetojnë jashtë vendit. Duke e krahasuar me anketën e fundit të zhvilluar atë të vitit 2019 numri është rritur.

Profili i atyre qe largohen mbetet kryesisht i ri dhe ekonomikisht aktiv. Rreth 77% e shqiptarëve jashtë vendit janë në moshë pune, nga 15 deri në 64 vjeç, ndërsa vetëm 5% janë mbi 65 vjeç, duke treguar që pjesa më e madhe janë pjesë e tregut të punës duke qenë dhe arsyeja kryesore e emigrimit masiv vitet e fundit.

Sot, destinacionet kryesore mbeten Italia dhe Greqia, të ndjekura nga Gjermania, Franca dhe Mbretëria e Bashkuar.

Sipas të dhënave nga EUROSTAT, në Evropë, mbi 1.1 milion persona të lindur në Shqipëri jetojnë në 31 shtete, ndërsa në Shtetet e Bashkuara komuniteti shqiptar numëron mbi 206 mijë persona, me nivele të larta punësimi dhe integrimi.

Në publikim, INSTAT thekson se këto të dhëna synojnë të ndihmojnë politikëbërësit në hartimin e politikave më efikase për diasporën, në një kohë kur emigrimi mbetet një nga sfidat më të mëdha strukturore për Shqipërinë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›