Mbi 20 disiplina në ditën e 6-të të “Open Masters Games Abu Dhabi 2026”

ABU-DABI, 11 shkurt /ATSH – Gjergji Mima/ “Open Masters Games Abu Dhabi 2026” shënuan sot një nga ditët më intensive të programit të tyre, me zhvillimin e mbi 20 disiplinave sportive në ambiente të ndryshme në të gjithë Abu-Dabin.
Dita e gjashtë e garave solli përfshirjen për herë të parë të karatesë dhe futbollit 11×11 në programin zyrtar të Lojërave, të zhvilluara respektivisht në Space42 Arena dhe në Zayed Sports City. Krahas këtyre disiplinave të reja, vijuan edhe garat në sporte të tjera, duke e kthyer këtë në një nga ditët me numrin më të madh të aktiviteteve që prej nisjes së eventit.
Angazhimi i komunitetit mbeti në qendër të vëmendjes gjatë gjithë ditës në “Community Hubs” të vendosura në ADNEC, Zayed Sports City dhe Hudayriyat. Studentë nga Universiteti i Abu-Dabit vizituan Lojërat, ku ndoqën nga afër ndeshje volejbolli, basketbolli dhe tenis tavoline në ADNEC. Vizita e tyre përfshiu gjithashtu pjesëmarrje në aktivitete ndërvepruese në hapësirat komunitare, duke përjetuar nga afër atmosferën e Lojërave.
Një rol të rëndësishëm në aktivitetet e përditshme vijuan të luanin edhe anëtarët e komunitetit të moshës së tretë. Mbi 40 të moshuar nga Family Development Foundation vizituan ADNEC, ku ndoqën garat dhe eksploruan hapësirat e dedikuara për komunitetin. Prania e tyre theksoi natyrën gjithëpërfshirëse të Lojërave dhe mesazhin se sporti mbetet i aksesueshëm dhe domethënës në çdo fazë të jetës.
Ndërkohë, peshëngritësi dhe personaliteti i njohur në rrjetet sociale, Anatoly, vijoi angazhimin e tij me Lojërat, duke vizituar Hudayriyat Island, ku u takua me sportistë dhe vizitorë në një aktivitet “meet and greet”.
Ceremonitë e ndarjes së medaljeve u zhvilluan në disa disiplina, përfshirë notin për femra, harkun “compound” për meshkuj dhe kërcimin së gjati për meshkuj, duke kurorëzuar fituesit e ditës.
Me vijimin e garave, Lojërat e Hapura Masters Abu Dhabi 2026 po bashkojnë çdo ditë sportistë, drejtues, studentë dhe anëtarë të komunitetit, duke reflektuar angazhimin e Abu-Dabit për promovimin e sportit si një aktivitet i përhershëm dhe për forcimin e kulturës së pjesëmarrjes dhe mirëqenies.
“Open Masters Games Abu Dhabi 2026” - Foto: Andrin Hoxha 1 nga 15/gj.m/r.e/a.f/