E Diel, 1 Nëntor 2026

Mbi 30 zyrtarë dhe ish-ministra dyshohen për korrupsion

Një dokument, të cilin e ka siguruar Klan Kosova, thuhet se ish-ministri i Shëndetësisë tij Alush Gashi, ka dosje në Prokurorinë e Qarkut në Prishtinë, për veprime korruptive.

Ai dyshohet se është korruptuar gjatë përzgjedhjes së kandidatëve për specializim. Gashi dhe më tepër se 30 zyrtarë të tjerë shtetërore janë përfshirë në një listë, të siguruar nga televizioni ynë, të cilëve Agjencioni Antikorrupcion u ka dorëzuar lëndë në prokurori dhe organet tjera të hetuesisë.

Edhe krerët e doganës, Naim Huruglica e Ekrem Hajdari dyshohen se janë të korruptuar me rastin e blerjes së skanerit. Më këtë rast është duke i marr prokuroria speciale. Agjencioni ka dorëzuar lëndë edhe për zyrtar të KEK-ut. Ali Hamiti, ish-kryetar i bordit të kësaj korporate, së bashku me disa tjerë dyshohet se përvetësuan shumë ta mëdha të parave në realizimin e ndërtimit të rrjetit elektrik në rajonin e Drenicës.

Të pastër nuk duket të jenë as në PTK. Dosje në prokurori ka edhe Adnan Merovci, me dyshimin se ka lidhur kontrata të dëmshme dhe kanë falsifikuar dokumente. Edhe ata që duhet t’i ndjekin keqbërësit, duket se janë zhytur në veprimtari të ndaluara. Drejtori i sekretariatit të këshillit Gjyqësor Halit Muharremi dyshohet se u korruptua gjatë emërimit të gjykatësve, ndërsa Shaban Guda nga Policia e Kosovës dyshohet se ka punësuar njerëz duke shkelur procedurat.

EULEX-i, sipas kësaj liste do të merret me Nuhi Ukën, kryetarin e Gjykatës komunale për transferim të paligjshëm të pronave. Policët evropianë do të hetojnë edhe drejtorin financiar të RTK-së, Bujar Spahiu, për të cilin dyshohet se falsifikoi dokumente në lidhje me të hyrat nga marketingu. /klan kosova/

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›