E Diel, 1 Nëntor 2026

Mbi 50 mijë vizita në qendrat shëndetësore verore. Gastroenteritet, hipertensioni dhe pickimet/alergjitë ndër diagnozat më të shpeshta

Mbi 50 mijë vizita janë kryer në qendrat shëndetësore verore në të gjithë vendin që prej fillimit të sezonit turistik.

Sipas të dhënave të Operatorit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor, deri më tani janë regjistruar 50 mijë e 392 vizita ku vetëm në javën e dytë të gushtit kërkuan ndihmë shëndetësore 6 mijë e 803 pushues vendas dhe të huaj, duke shënuar kështu kulmin e fluksit për këtë sezon.

Rreth 9% e personave që kanë marrë shërbim kanë qenë shtetas të huaj.

Problemet shëndetësore që kanë dominuar gjatë kësaj periudhe lidhen kryesisht me gastroenteritet, hipertensionin arterial, si dhe pickimet dhe alergjitë.

Zona me  numrin më të lartë të vizitave janë Pogradeci, Shëngjini dhe Velipoja, destinacione që gjatë muajve të verës po përballen me një rritje të ndjeshme të numrit të banorëve dhe turistëve.

Sipas konstatimeve në qendrat shëndetësore gjatë muajve të sezonit të pushimeve rritet në çdo sezon nevoja për ndërhyrje dhe konsultime mjekësore.

Me rritjen e temperaturave dhe fluksit të pushuesve, mjekët apelojnë për shumë kujdes ndaj ushqimit dhe ujit, ekspozimit në diell, pickimeve të insekteve dhe përkeqësimit të sëmundjeve kronike.

Gazetare: Sonila Mlloja

/rtsh.al/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›