Mbi 6500 gjoba për shkelje rrugore në Tiranë, shtatë drejtues mjetesh të arrestuar

TIRANË, 18 shtator /ATSH/ Policia Rrugore e Tiranës vijon monitorimin 24/7, të qarkullimit të mjeteve, me qëllim parandalimin e aksidenteve dhe ndëshkimin e drejtuesve të mjeteve që shkelin rregullat e qarkullimit rrugor.
Policia informon se janë arrestuar 7 drejtues mjetesh për vepra penale në fushën e qarkullimit rrugor, janë bllokuar 22 mjete dhe janë tërhequr 20 leje qarkullimi.
Sipas Policisë, një tjetër drejtues mjeti u procedua, i cili u konstatua gjatë kontrolleve në rrugën “Urani Pano”, duke drejtuar mjetin, në efektin e alkoolit, në masën 0.17 mg/l, dhe për të shmangur masën administrative, i ka ofruar punonjësit të Policisë, 2000 lekë.
Gjithashtu, në kuadër të kontrolleve, janë vendosur në total 6819 masa administrative, për shkelje të ndryshme të rregullave të qarkullimit rrugor.
Policia Rrugore e Tiranës bën me dije se janë vendosur 5062 masa për qëndrim të gabuar; 641 për mospërdorim të kaskës mbrojtëse/jelekut fosforeshent; 193 për mosvendosje të rripit të sigurimit; 166 për mosdhënie përparësie këmbësorëve; 164 për përdorim të celularit gjatë drejtimit të mjetit; 74 për parakalime të gabuara; 59 për tejkalim të shpejtësisë; 10 për drejtim të mjetit, në efektin e alkoolit dhe 289 për mosrespektim të sinjalistikës rrugore, si dhe masa të tjera për shkelje të rregullave të qarkullimit.
Policia Rrugore e Tiranës apelon për kujdes të shtuar gjatë fundjavës, respektim të kufijve të shpejtësisë dhe sinjalistikës, përdorim të rripit dhe kaskës mbrojtëse, si dhe mosdrejtim të automjetit në efektin e alkoolit.
Kontrollet do të vijojnë pa ndërprerje, me qëllim parandalimin e aksidenteve dhe garantimin e sigurisë së të gjithë përdoruesve të rrugës.
/e.i/j.p/r.e/