Mbi 90 persona kërkuan ndihmë mjekësore në Bulqizë, Prefekt Shehu: Nuk lidhet me ujin e pijshëm

TIRANË, 8 korrik/ATSH/- Mbi 90 persona janë paraqitur në spitalin e Bulqizës me shenja të virozave të stinës, të vjella apo heqje barku.
Mjeku i Spitalit, Shahin Kaja, në një prononcim për mediat tha se nuk është uji i pijshëm shkak i situatës, pasi gjeografia nga e cila janë paraqitur pacientë është e gjerë dhe nuk prek një ujësjellës.
“Kjo nuk lidhet me ujin e pijshëm, por me faktorë virale. Kjo pasi rastet janë sporadike dhe jo të centralizuara me një vend, por janë nga qyteti, fshatrat afër etj. Ne mendojmë se nuk kanë lidhje me ujin, përjashtohet kjo mundësi. Shkaku lë të kuptosh që është një shkak viral”, tha mjeku.
Sipas tij, rastet nuk lidhen as me festa apo ceremoni të caktuara. “Nuk ka pasur raste festive, por janë raste sporadike të veçanta, në zona të veçanta.”, nënvizoi Kaja.
Prefekti i Qarkut Dibër, Nexhbedin Shehu, tha se nga analizat paraprake të ujit, ka rezultuar pa probleme dhe është i pijshëm, ndërsa pritet dhe një verifikim i fundit që po zhvillohet nga Instituti i Shëndetit Publik në Tiranë
“Nga e shtuna ka pasur një fluks të shtuar të njerëzve që paraqiten me shenja diareje dhe të vjella. Shenjat janë të lehta siç thonë mjekët. Bëjnë një serum dhe kthehen në banesë. Fluksi është i shtuar”, tha Shehu.
Prefekti tha se mjekët, shërbimi parësor, Policia, por dhe institucionet e tjera janë duke hetuar rastin për të konfirmuar shkakun, ku dyshimi kryesor është viroza e stinës.
“Ka mbi 30 raste në ditë, 20 raste ishin të shtunën, 30 të dielën. Sot dita e tretë, në total mbi 90 rate për të marrë shërbime”, tha Shehu
Duke folur për hetimet, Shehu tha se “nga analiza që kanë bërë shërbimet parësore, uji del pa problematika. Mjekët e përjashtojnë, pasi edhe gjeografia e rasteve është e madhe. Ka pacientë edhe jashtë Bulqizës, fshatrat përreth, që kanë ujësjellës tjetër. Gjithësei është nën hetim çdo elementë dhe po presim analizat. Janë disa analiza të thelluara. Rezultatet po i presim nga instituti i Shëndetit Publik në Tiranë”, tha Shehu.
Ai u bëri apel qytetarëve që këtë periudhë të blejnë uji, ose të ziejnë ujin që u vjen në banesat e tyre.
Edhe Policia e Dibrës ka ngritur grupin hetimor për hetimin e rastit. “Komisariati i Policisë Bulqizë, ka marrë njoftim se disa shtetas banorë të bashkisë Bulqizë, ishin paraqitur në spital për ndihmë mjekësore me simptoma helmimi. Me marrjen e njoftimit është ngritur grupi hetimor dhe nën drejtimin e Prokurorisë kanë nisur hetimet për zbardhjen e rrethanave dhe përcaktimin e shkakut të helmimit”, njoftoi policia.