Mbi debatin për imunitetin
Të flasësh për heqjen e imunitetit sot në Shqipëri, si mjet drejt luftës ndaj korrupsionit, është sikur ta shesësh një operacion apendiciti si shpëtimtar për një tumor të shpërhapur me metastazat e tij në tërë trupin e një të sëmuri. Në fakt, që tërë kjo fushatë nuk ka të bëjë aspak me atë që do të duhej të ishte thelbi i arsyes pse duhet të hiqet imuniteti: për ti bërë të barabartë përpara ligjit pushtetarët në emër të luftës kundër korrupsionit, kjo duket sheshit. Sepse po të kishte dashur të luftonte korrupsionin, Sali Berisha ka pasur tetë vjet për ta bërë këtë në radhë të parë duke mos bërë me të tijtë korrupsion. Ndërkohë, mjaft të kesh parasysh vilat që kanë mbjellë paturpësisht pushtetarët tanë nëpër çdo vend të lakmuar të Shqipërisë e që sjustifikohen dot kurrsesi me të ardhurat apo me taksat që kanë paguar, apo privatizimet që nuk sigurojnë dot as kompensimin brenda ligjit të aprovuar nga vetë maxhoranca të shtresës më të vuajtur të këtij vendi, ish-të persekutuarve, për ta kuptuar se sa thellë dhe sa gjerë vazhdojnë të shtrihen metastazat e korrupsionit. Gjithë në këtë kontekst metastazash, sipas meje, nuk qëndron as akuza se opozita është peng e deputetëve miliarderë: se këta do të ndjehen të shantazhuar për shkak të problemeve që mund tu nxjerrë maxhoranca lidhur me bizneset e tyre. Sipas meje, pandëshkueshmëria për klasën tonë politike do të mbetej në fuqi edhe me heqjen e imunitetit, madje edhe me vendosjen e një berishisti prokuror, sepse shumica e politikanëve apo gjyqtarëve e kanë bërë korrupsionin me biznesmenë, oligarkë, trafikantë që kanë lidhje me të dy krahët e politikës, që kanë sponsorizuar të dyja partitë dhe hetimi dhe gjyqi i korrupsionit të tyre do ti dëmtonte të gjithë si kastë. Po atëherë pse gjithë kjo zhurmë? Sipas mendimit tim, Berisha e do kaq shumë heqjen e imunitetit, thjesht për të siguruar fitimin e statusit të vendit kandidat, që pastaj tua shesë shqiptarëve si një sukses të vetin elektoral. Ai mendon ose beson se togfjalëshi realizimi i ëndrrës europiane ka ende fuqi magjike në veshët e shqiptarëve. Po opozita përse të mos e aprovojë në këto kushte, për të evituar edhe akuzën si antieuropiane? Sipas meje – pa përjashtuar faktin se ajo mund të ketë frikë disi përdorimin selektiv të heqjes së imunitetit – shkaku kryesor është se asaj nuk i intereson krijimi i një situate që e parqet gjendjen në vend sikur kjo po shkon drejt përparimit në një kohë kur e sheh veten gjithnjë e më të privuar nga mjetet institucionale për ta bërë opozitë. Dyshoj shumë se opozita, edhe sikur ti aprovoheshin të gjitha kërkesat për ndryshime kushtetuese, nuk do ta votonte më 6 gusht heqjen e imunitetit, pasi mbi të gjitha, asaj i intereson që shkrimi i raportit për Shqipërinë e Berishës të jetë sa më zi, në një kohë kur ndërkombëtarët po mbeten shpresa e fundit për shpëtim pasi asaj i mungon një program bindës dhe inspirues për të ndryshuar drejtimin e rrugës që kemi marrë. E bukura është se e gjithë kjo lojë nuk synon më së pari publikun shqiptar, por atë të huaj, kryesisht një grusht politikanësh evropianë, që puna i lidh me Shqipërinë apo të cilëve u tërhiqet me grep ndonjë prononcim. E provojnë këtë edhe kryetitujt e gazetave që u japin hapësira të pamata deklarimeve të tyre. Sigurisht, verdikti që do të japin të huajt do ti rikthehet pastaj i instrumentalizuar publikut shqiptar për tu përdorur ndaj kundërshtarit. (Kush do ta shkruajë nesër historinë e Shqipërisë së kësaj periudhe, do ti duhet ti kushtojë kapituj të rëndësishëm rolit të ndërkombëtarëve, ku nuk duhet të neglizhohet edhe një aspekt: përpjekjet minimale të tyre për të rritur si faktor vendimtar vendimmarrës shoqërinë civile shqiptare për shkak të prirjes për të ruajtur pushtetin dhe interesat e tyre mbi politikën shqiptare). Sa për shqiptarët, ata e dinë mirë se kjo lojë nuk ka të bëjë me luftën kundër korrupsionit të deputetëve dhe gjyqtarëve. Sikurse e vërente edhe Artur Zheji në një nga editorialet e tij në Mapo, tirazhi i gazetave është i ulët kur në to shkruhet për heqjen e imunitetit. Imagjinoni se çfarë bumi do të njihte shitja e gazetave sikur vërtet të ndodhte në vend ndonjë gjë që do të ngjallte shpresa të ndëshkueshmërisë së të korruptuarve. E provoi edhe fakti se salla e Parlamentit më 6 gusht ishte thuajse bosh; shihje aty vetëm deputetët që prisnin radhën për të hipur në foltore, që, kur nuk flisnin, luanin me celularë nëpër duar. E pra, shqiptarët e dinë mirë se ëndrra e tyre europiane nuk është varja në gjoksin e Berishës apo të Ramës e medaljes së statusit, por dalja e vendit nga një gjendje ku sundon korrupsioni e kriminaliteti, konfliktualiteti politik, mjerimi ekonomik, shkatërrimi i territorit, padrejtësia sociale, humbja e shpresës për të ardhmen dhe, mbi të gjitha, mungesa e sundimit të ligjit/së drejtës, e se politikanët tanë nuk punojnë për luftën ndaj këtyre të këqijave, por janë gjeneruesit e parë të kësaj gjendjeje, duke e bërë Shqipërinë gjithnjë e më të ngjashme me ato vende që korrupsioni i klasave politike i ka çuar në kaos e luftëra civile. Në këtë kuptim, po ti pyesësh shqiptarët për dobinë e heqjes së imunitetit, do të të përgjigjeshin se dobia më e madhe do të ishte heqja e kësaj klase politike nga skena publike. Megjithatë, përtej kësaj të vërtete, si do ta gjykojmë refuzimin e imunitetit nga opozita? Kush ka të drejtë e kush gabon? E kujt mbetet përgjegjësia? Mendoj se më së pari duhet thënë se mosvotimi i heqjes së imunitetit, përtej asaj se kush e ka përgjegjësinë, është një nga treguesit më të mirë se në kushtet ku jemi nuk e meritojmë statusin dhe jemi të gjithë humbës, pasi të ruash imunitetin në kohën kur jetojmë është njëherësh e turpshme dhe tregues i një vendi jodemokratik. Së dyti, përsa i përket përgjegjësisë, mendoj se kjo bie mbi të gjithë klasën politike që ka qeverisur këta njëzet vjet, por bie para së gjithash mbi maxhorancën, pasi është ajo që ka tetë vjet që ka në dorë timonin e shtetit dhe rruga ku na ka futur është shumë larg së qeni rruga e mbarë. Kur flas për rrugë të shtrembër, kam parasysh shumë nga të këqijat që përmenda më sipër, por do të ritheksoja atë më kryesoren: mungesën e përparimin në vendosjen e sundimit të ligjit/së drejtës në Shqipëri. Sikurse e kam theksuar edhe në shkrimin e para disa ditëve Sundimi i ligjit dhe sundimi nëpërmjet ligjit, pa vendosjen e sundimit të ligjit/së drejtës, heqja e imunitetit ose nuk do të jetë efikase, ose mund të kthehet në bumerang për demokracinë, duke e rritur edhe më korrupsionin. Sipas meje, maxhoranca në pushtet ka bërë dhe synon të bëjë hapa prapa në drejtim të vendosjes së sundimit të ligjit/së drejtës në Shqipëri, që më konkretisht nënkupton pavarësimin gjithnjë e më shumë të Drejtësisë nga pushtetet e tjera, veçanërisht nga pushteti i saj. E ka provuar rëndshëm këtë me qëndrimet e saj kundër Presidentit dhe kryeprokurores, apo me presionin politik që ka bërë për dështimin e hetimeve të ngjarjeve kyçe për Drejtësisë në Shqipëri, siç është Gërdeci apo 21 janari. Ta sugjeronin këtë edhe ndërhyrjet e Kryeministrit dje në Parlament, ku dukej se ai kishte harruar krejt përdorimin e përemrit ne në favor të përemrit unë. Në këtë kontekst, mendoj se pretendimi i opozitës për shoqërimin e heqjes së imunitetit me ndryshime kushtetuese, që do të garantonin një Drejtësi më të pavarur, është më se i përligjur. Sikurse e thashë edhe më lart, mjaft sjellje të saj na japin të drejtë të dyshojmë nëse qëllimi i saj është Drejtësia e pavarur, apo vonimi i statusit në emër të delegjitimimit të mëtejshëm të institucioneve të maxhorancës. Por, duke e ndarë argumentin nga qëllimi, mendoj se ai si argument qëndron dhe maxhoranca është e shtrënguar ta respektojë. Reflektimi më thellë i këtij rasti të çon në idenë se ne ndodhemi përsëri në një nga situatat e radhës që pro
