E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Mbledhja e Kryesisë/ Rama: Ndamë detyrat! Kemi hyrë në epokën e një kërcënimi të madh

Fushata zgjedhore ka qenë në fokus të mbledhjes së Kryesisë së Partisë Socialiste. Kryeministri Edi Rama në një deklaratë për media pas përfundimit të mbledhjes ka bërë me dije se nga nesër (18 tetor) nisin takimet me të gjitha komunitetet për qeverisjen vendore. Epoka e kërcënimit të madh botëror, sipas kreut të qeverisë, ka sjellë për pasojë rritjen e çmimeve të energjisë elektrike dhe produkteve bazë në të gjithë botën.

Rama siguroi se është detyrë e qeverisë që të lehtësojë sa më shumë të jetë e mundur peshën e luftës mbi kurrizin e ekonomisë dhe shpatullat e familjeve shqiptare. Kryeministri njoftoi se buxheti i vitit 2023 i cili është drejt finalizimit, është dyfishi i buxhetit të 2013.

“Kemi bërë një diskutim të frytshëm dhe natyrisht që kemi ndarë edhe detyrat në bazë të këtij aktiviteti që nis nesër për t’u shtrirë në të gjithë Shqipërinë dhe për të komunikuar intensivisht me të gjitha komunitetet për qeverisje vendore dhe sfidat e përbashkëta. Kemi hyrë në një epokë të një kërcënimi të madh botërisht. Europa, ne si pjesë e saj jemi të detyruar të përballemi me kërcënime e madh të kësaj epoke, që vjen si agresion në dyert e Europës. Që ka sjellë si pasojë përveç bombave dhe krimeve në të panumërta në Ukrainë, edhe rritjen e çmimeve të energjisë, të produkteve bazë në të gjithë botën, në Europë dhe sigurisht edhe në Shqipëri. Është një inflacion lufte kostoja që i paguajmë aventurës së një diktatori si Vladimir Putin. Por nga ana tjetër edhe pse nuk është qeveria që ka sjellë inflacionin, i takon qeverisë të lehtësojë sa të jetë e mundur peshën e kësaj lufte, mbi kurrizin e ekonomisë së vendit dhe mbi shpatullat e familjeve. Kemi bërë gjithçka kemi mundur dhe vazhdojmë bëjmë gjithçka mundemi. Jemi duke finalizuar buxhetin e vitit të ardhshëm që është dyfishi i buxhetit të vitit 2013 çka tregon se shumëçka ka ndryshuar pozitivisht në funksion të së ardhmes së vendit. Por patjetër ky dyfishim i buxhetit është mbi të gjitha i bazuar tek domosdoshmëria që t’i mbështesim të gjithë sa të jetë e mundur. Do vazhdojmë të qëndrojmë me këmbëngulje të plani për të mbrojtur çmimin e energjisë për familjen dhe biznesin. Urojmë të kemi shiun e nevojshëm  pasi dihet se ne jemi të varur  nga burimet ujore. Duke pasur më shumë prurje shiu kemi më pak nevojë të dalim me import. Që gjithsesi do vazhdojmë të dalim, pasi edhe sikur të kemi  plot e për plot hidrocentrale, Shqipëria nuk prodhon sa për të përmbushur të gjitha nevojat”, tha Rama.

Pyetur më tej mbi krizën energjetike, kryeministri siguroi se Shqipëria do e kalojë dimrin pa dhembje të mëdha, kjo pasi qeveria sipas tij ka marrë masat e duhura.

“Do ta kapërcejmë këtë dimër pa dhembje të mëdha. Do jetë dimër i vështirë, por masat që kemi marrë dhe mbështetja masive që do vazhdojm ti japim të gjitha kategorive do ta lehtësojë dimrin në mënyrë të arsyeshme”, shtoi kryeministri, teksa nuk ka pa sulmuar dhe opozitën. Sipas Ramës, fatkeqësisht opozita është e zhytur në thesin e rublave dhe se sipas tij premton vetëm izolim nga bota.

“Çështja është që në këtë epokë kërcënimi të madh, kur Shqipëria nuk bën përjashtim nga gjithë ky kontekst kërcënues dhe kur na duhet të përballemi me pasojat e dicckaje që është jashtë nesh, siç erdhi tërmeti dhe pandemia, na duhet të jemi sa më të qartë, sa më të të vendosur, sa më të bashkuar, dhe sa më të të lidhur me partnerë dhe aleatë të fuqishëm. Sigurisht do ishte mirë të kishim një opozitë që të rrinte mirë në këtë kontekst,  por për fat të keq kemi një opozitë që premton vetëm izolim nga bota dhe nga ana tjetër është e zhytur në thesin e rublave. Është fatkeqësi edhe veprimtaria, edhe mënyra se si vepron në mënyrë të përditshme mbajnë erë. Dhe ajo çka dimë nuk është e gjitha ajo që duhet ditur”, tha Rama.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›