E Diel, 1 Nëntor 2026

Mbrëmja e maturës në Ersekë, maturantët festuan përfundimin e gjimnazit mes emocionesh dhe urimesh

Maturantët e shkollës së mesme në Ersekë kanë festuar mbrëmjen e maturës, duke shënuar përfundimin e një etape të rëndësishme të jetës së tyre shkollore.

Të veshur me elegancë, ata parakaluan në qendër të qytetit mes duartrokitjeve të familjarëve, miqve dhe qytetarëve, në një atmosferë festive dhe plot emocione.

Për të rinjtë, kjo mbrëmje ishte një moment i veçantë për të ndarë emocionet e përfundimit të gjimnazit dhe për të kujtuar vitet e kaluara në bankat e shkollës. Ata shprehën optimizëm për rrugëtimin e ri që i pret në universitet dhe në jetën profesionale.

“Këto tre vite kanë qenë shumë të bukura për mua. Kanë qenë edhe sfiduese gjithashtu edhe të lodshme, por ama ja ka vlejtur mundi. Kemi kaluar shumë bukur me shoqërinë, me mësuesit”, tha një maturante.

“Ndoshta ne me këta që jemi duke u takuar sot nuk do shihemi më asnjëherë në jetën tonë, por ndihem shumë i lumtur dhe jam i gëzuar që jemi të gjithë së bashku këtu dhe shpresoj që të kalojmë një kohë të bukur dhe tek mbrëmja dhe gjithë këto tre vite të mbajnë shoqërinë që ne kemi krijuar dhe tani dhe në universitetet gjatë gjithë jetës tonë”, u shpreh një maturant.

Mes urimeve, fotografive dhe atmosferës festive, mbrëmja e maturës u mbyll me emocionet e një kapitulli që mbaron dhe me shpresat për një të ardhme të suksesshme për maturantët e këtij viti.

Gazetare: Xhensila Lazi

/rtsh.al/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›