E Diel, 1 Nëntor 2026

Mbrëmje kushtuar folklorit në Durrës-Ansambli Kombëtar sjell këngë e valle në turin “Fest Folk 2026”

Sheshi “Liria” në Durrës u gjallërua nga Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve Popullore, i cili dha koncertin e radhës në qytetin bregdetar, si pjesë e një turi veror që po zhvillohet në të gjithë vendin.

Rreth 30 artistë u ngjitën në skenë, ku të pranishmit shijuan folklorin shqiptar, shprehur përmes këngëve dhe valleve tona tradicionale.

“Pas kësaj do të udhëtojë në qytete të tjera. Do të jetë në Gjirokastër, në Berat, në Vlorë, në Fier, pra në të gjitha sheshet kryesore, aty ku ka publik, aty ku ka turistë. Artistët e ansamblit janë, bashkohen së bashku dhe bëhen një me të gjithë ata njerëz të cilët duan ta prekin nga afër dhe ta shijojnë muzikën tonë popullore, folklorin tonë të mrekullueshëm”, tha Sokol Marsi drejtor i Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve.

Pjesë e këtij koncerti u bë edhe këngëtarja e re durrësake Violeta Beshiri, e cila e vlerësoi pjesëmarrjen në këtë koncert, si dhe mundësinë për të interpretuar këngë të traditës.

“Është një kënaqësi shumë e madhe të trashëgosh traditat e tua dhe t’i çosh ato përpara, sidomos me Ansamblin e Shtetit. Është një nder shumë i madh për mua dhe shpresoj që edhe në të ardhmen të kem sa më shumë mundësi ta bëj këtë, ta çoj këtë traditë përpara”, tha ajo.

“Fest Folk 2026” është turi i kësaj vere që po zhvillon ky ansambël dhe ai i kushtohet traditës dhe trashëgimisë sonë kulturore.

/rtsh.al/

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›