E Hënë, 2 Nëntor 2026

“Mbreti” i kokainës vjen në Shqipëri, Dritan Rexhepi ekstradohet nga Turqia, akuzohet per vrasje, rrëmbim e trafik droge

Ekstradohet në Shqipëri Dritan Rexhepi, një nga emrat më të njohur të botës së krimit, i akuzuar për vrasje, rrëmbim personi, trafik droge etj.

Nën masa të rrepta të sigurisë, Rexhepi është marrë në Rinas nga forca e shumta të policisë pasi u esktradua nga Turqia me kërkesë të autoriteteve shqiptare.

Ndaj Dritan Rexhepit Prokuroria e Posaçme si dhe ajo e Përgjithshme i kishin kërkuar shtetit turk esktradimin e menjëhershëm.

Ndërkohë edhe drejtësia italiane kishte bërë kërkesë për të pasi në vendin fqinj ai akuzohet për trafik droge.

Megjithatë Turqia vendosi që Rexhepi të sillet në Shqipëri, për shkak se krimet më të rënda dyshohet se i ka kryer në vendin tonë.

I konsideruar si një nga kokat e trafikut të kokainës nga vendet e amerikës Latine në Europë, Dritan Rexhepi u arrestua në Turqi më 10 nëntor 2023.

Ai ishte futur në shtetin turk nga aeroporti i Stambollit me pasaportë kolumbiane me emrin Benjamin Omar Perez Garcia.

Autoritetet pasi morën informacion për identitetin e tij të vërtetë, organizuan operacionin për kapjen në një vilë luksoze ku u gjet edhe armë zjarri.

SPAK e akuzon Rexhepin se ka urdhëruar nga Ekuadori rrëmbimin dhe zhdukjen e Jan Prengës, ngjarje e ndodhur më 17 janar të vitit 2020.

Pamjet e kamerave të sigurisë të sekuestruara nga policia treguan se trupi i Jan Prengës u fut në kompleksin Golden në Shijak ku dyshohet se është dhunuar deri në vdekje.

Më pas trupi është fshehur nga autorët dhe ende nuk është gjetur. Urdhëri për zhdukjen e tij dyshohet se u dha nga Rexhepi, pasi Astrit Prenga, vëllai i viktimës, kishte arritur që të merrte afro 60 kg kokainë në Angli dhe nuk u kishte dhënë paratë grupit kriminal.

Nga ana tjetër Prokuroria e Përgjithshme e kërkon Dritan Rexhepin në lidhje me vrasjen e 2 policëve në Fushë-Krujë në vitin 1998. Rexhepi në atë kohë vetëm 19-vjeç dyshohet se ishte vrasës me pagesë.

Në vitin 2006 Rexhepi u arrestua në Tiranë, por u arratis. Dy vite më vonë ai u arrestua në Holandë dhe u ekstradua në Itali ku ishte dënuar në mungesë për trafik droge. Si ekspert në arratisje, Rexhepi në vitin 2011 sëbashku me dy shqiptarë të tjerë preu me sharrë hekurat e qelisë duke u larguar nga burgu i Pavias në Itali.

Spanja do të ishte shteti i rradhës që në vitin 2011 arrin të prangosë shqiptarin e shumëkërkuar. Ai u ekstradua në Belgjikë i akuzuar për trafik droge. Edhe këtu arriti që të arratiset nga mungesa e vëmendjes së rojeve.

Më pas ai u shpërngul në Amerikën Latine ku kontrolloi trafikun e kokainës drejt Europës. Në vitin 2014 Rexhepi u vu në pranga në Ekuador ku policia arriti që të sekuestrojë 278 kg kokainë. U dënua me 13 vite burg, por më pas u la i lirë në vitin 2021.

Ishte gjykata e Ekuadorit që e liroi pasi argumentoi se Rexhepi vuante nga një sëmundje e sistemit imunitar, edhe pse ndaj tij kishte disa urdhëra ndërkombëtarë për esktradim nga shtete të ndryshme./vizionplus.tv

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›