Mbreti i violinës Papavrami, mes princash mbrëmë në koncert

Mbrëmë në teatrin e operas dhe Baletit në Tiranë, u dha koncerti “Differents train”. Që në sekondat e para të koncertit, i ftohti i pazakontë, mysafir i këtyre ditëve, u harrua. Mbreti i violinës, Tedi Papavrami, me një “larousse” emocionesh, kujtimesh e mbresash, të lidhura me sallën, me Tiranën, me atdheun, me dy kohët, të mbrapshtën dhe të bukurën, si dhe me krenarinë e të qënit shqiptar, bëri një nga interpretimet e tij më të mrekullueshme. Ai transmetoi elemente të holla të stilit të vet të pjekur tashmë, por po aq befasues e frymëzuar sikur shihnim Tedin e surprizës shqiptare në atë mort politik ku ai çel. Papavrami është sot një personalitet referencë, jo më në vullnetin, talentin, kalibrin, por në inteligjencën, energjinë, për ta mbajtur këtë standard, me tendncë rritjeje. Ai ia doli mbanë edhe në koncertin e mbrëmshëm, që të ishte tufa e lules për spektatorët, të cilët ia kthyen këtë lulëzim, në fund të koncertit brilant. Nëse “Sonata për violinë dhe piano” e Debussy-së, është quajtur edhe Kënga e Mjelmës, mund të themi se interpretimi i Papavramit, në shoqërimin e François Frederic Guy, e ktheu në minuta të arta kohën muzikore dhe meritoi duartrokitje të jashtëzakonshme. Pianisti François Frederic Guy e solli me lojën e tij tërë kohën dhe ajrin kur Debussy e ka shkruar këtë pjesë. Hija autoritare dhe lirike e këtij pianisti do të mbetet gjatë në kujtesën e atij spektatori, që është arkiv i gjallë i kësaj salle.
Ky koncert që kishte për tren Papavramin, solli në këtë natë të mrekullueshme disa nga princat e violinës dhe violës. Në qoftë se do të flasim për Dorian Xhoxhin, ai e tejkalon karëtvizitën e tij si instrumentist i Filarmonisë së Berlinit, ku u seleksionua midis 600 kandidatëve nga e gjithë bota. Ai është një nga shprehjet praktike të suksesit të shkollës shqiptare të muzikës, por dhe të traditës familjare, ku spikat kultura, me një edukim qytetërimor ekselent. Ishte pjesë e kësaj buqete muzikore Klajdi Sahatçiu, që veç të tjerash solli në Tiranë një stradivar të vërtetë, dhe që ai e meriton në çdo puls të talentit të tij dhe të përkushtimit serioz.
Është vërtetë diçka e mrekullueshme që në këtë koncert, Vlorent Xhafaj, violonçelisti të cilin talenti i tij e çoi nga Strasburgu në Sidnei, tregoi mbrëmë që karriera e tij është edhe më shumë përpara se çka regjistruar ajo në të shkuarën.
Për hir të së vërtetës, në atë koncert prej afro dy orësh, që u duk se rrodhi për disa minuta, ndjeje dhe kuptoje se Shqipëria e vërtetë janë ata dhe hapi i saj është kaq elegant, kaq i integruar, sa vetë këta princër, për të cilët, që nga familjet e tyre, miqtë, shokët, shoqëria, shteti, programi kombëtar duhet të tregojë veneracion absolut. Janë ata shembull dhe program. Është një lumturi intelektuale që t’i dëgjosh dhe t’i takosh. Mjaft të shohësh diagramën e rritjes të Papavramit, i cili mund të shërbejë fare mirë – siç ka shërbyer – si perkursor për të rinjtë që janë në këtë rrugë, si shembull tek i cili mund të besosh jetën tënde, fatin tënd, rrugën tënde, ashtu siç bëri ai vetë. Papavrami mbart një mesazh qytetërimor, bashkë me këta djem – e të tjerë, kudo që ndodhen, i cili është në biogrtafinë tonë kombëtare, është në genin dhe qelizat e hershme dhe nuk shfaqet rastësisht. Personalitete si këta e ribëjnë Shqipërinë.
Se sa cinike duken përpjekjet burokratike për ta mbajtur larg Shqipërinë nga Evropa.
Duke pasur në gjirin e tyre, në koncertin e mbrëmshëm pianistin Andrea Rebaudengo dhe instrumentistin brilant, spanjollin Joaquin Riquelme Garcia, djemtë tanë po e spërkasin Evropën dhe Perëndimin, skenat aristrokratike të saj, nga Berlini në Sidnei, me Shqipëri. Dhe ky është një mision i madh dhe për ta duhet të kemi një mirënjohje të madhe.