E Diel, 1 Nëntor 2026

Mbrojtja e Veselit vazhdon deklaratat përmbyllëse në Hagë

Sot zhvillohet dita e katërt e deklaratave përmbyllëse në gjyqin kundër ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve, Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, dhe ish-deputetit, Rexhep Selimi në Gjykatën Speciale, me seli në Hagë.

Fjala është për mbrojtjen e Veselit, i cili përfaqësohet nga avokati Rodney Dixon.

Mbrojtja e Thaçit e përfundoi fjalën e vet një ditë më parë. Avokati i tij, Lluka Mishetiq tha se nëse Thaçi shpallet fajtor, do të ishte “padrejtësi ligjore dhe historike”, ndërkaq kërkesën e Prokurorisë që të katër të akuzuarit të dënohen me nga 45 vjet burgim e cilësoi si “burgim të përjetshëm”.

Fjalët e fundit i kanë thënë edhe Prokuroria me mbrojtësit e viktimave ditë më parë.

Ish-eprorët e UÇK-së, akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, për të cilat të katërtit janë deklaruar të pafajshëm. /rel/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›