Mbrojtja sociale dhe nevoja e reform
• Filloreta Kodra1. Pak historiFundi i shek. 19 shënon një kthesë në historinë e politikave sociale, ku mirëqenia individuale u bë gjithnjë e më tepër një synim i politikave shtetërore dhe gradualisht u njohën edhe shkaqet kolektive të mjerimit. Masat politike të zbatuara prej asaj kohe jo vetëm që u njohën dhe u rregulluan nga shteti, por gjithmonë e më tepër përfshinë kategori më të gjera të popullsisë. Dy modelet kryesore të financimit të sigurimit të të ardhurave që rrjedhin prej asaj kohe sigurimet shoqërore dhe të ardhurat e subvencionuara nga shteti, kanë mbijetuar deri në ditët e sotme. Sigurimet shoqërore si rregull jepen mbi bazën e kontributeve të paguara nga punëtorët (e siguruar), ndërsa përfitimet me bazë subvencioni janë financuar totalisht nga autoritetet shtetërore përmes politikave të taksimit dhe mund të jepen në formën e asistencës (për grupe të caktuara të popullsisë) bazuar në llogaritjen e të ardhurave, apo si përfitime "universale", të cilat jepen pa u mbështetur në testimin e të ardhurave apo kontribute. Historikisht konfliktet ndërmjet aktorëve politikë të njohur, shteti dhe partnerët socialë, kanë lindur mbi; së pari, zgjedhjen e mënyrës së financimit (sigurime shoqërore apo përfitime të pabazuara mbi kontributet. Dhe, së dyti, kur ishte zgjedhur sistemi i financimit, mbi mënyrën e shpërndarjes së kostos së reformave institucionale ndërmjet të siguruarve, punëdhënësve dhe shtetit. Sistemi kontributiv i sigurimeve shoqërore është një formë marrëveshje që të punësuarit bëjnë me shtetin, duke rënë dakord të financojnë pensionet e pleqërisë për të moshuarit në këmbim të përfitimit nga "taksat", që shteti do t'u imponojë gjeneratave të ardhshme për të përfituar pensionin e pleqërisë së tyre.Sistemi jokontributiv, bazohet në parimin universialist, sipas të cilit çdo personi duhet t'i sigurohet një mbrojtje bazë në rast papunësie, sëmundje apo moshe të vjetër. Mbështetja e plotë në skemat jokontributive ka qenë e rrallë në vendet anëtare të BE-së. Argumenti kryesor në favor të këtyre skemave jo kontributive ka qenë se individët apo segmentet sociale, pa apo me pak mundësi për të paguar kontribut sigurimesh shoqërore, duhet gjithashtu të mbrohen dhe t'u sigurohet një nivel minimal dinjitoz jetese në rast sëmundje, papunësie apo moshe të pensionit. Bazuar në këtë argument, politikat sociale rregullohen në mënyrë që t'i sigurojnë një nivel baze jetese të gjithë popullsisë. Tipar i përbashkët i të gjitha vendeve të BE-së në periudhën pas Luftës së Dytë Botërore ka qenë zhvillimi në masë i programeve të mbrojtjes sociale për të siguruar mbështetje ekonomike në situata të paaftësisë për punë si mosha e thyer, sëmundjet dhe papunësia. Prej vitit 1960-1995 transfertat për sigurimet shoqërore u rritën nga 9,7% në 20,4% të GDP-së në 15 vendet e BE (OECD - 1997). Kontribut në krijimin e skemave të tilla dha bumi ekonomik i Evropës pas Luftës Dytë Botërore, me imazhin e një shoqërie me punësim të plotë dhe modeli familjar ku burri që punonte me kohë të plotë mund të mbante familjen.Aktualisht kushtet kanë ndryshuar shumë nga koha e pasluftës (i) një element i rëndësishëm është papunësia masive, që prek shtresa të tëra shoqërore; (ii) zëvendësimi i vendeve të punës me kohë të plotë e të mirëpaguara në fabrika me vende pune në sektorin e shërbimeve që janë kryesisht part-time, pak të paguara dhe që punësojnë gratë; (iii) ka ndryshime të rëndësishme në strukturën e familjes me një përqindje të lartë divorcesh dhe familje me një prind.Këto ndryshime dhe fakti që disa kategori shoqërore nuk kanë mundësi të kontribuojnë në sistemin e sigurimeve shoqërore, i ka detyruar qeveritë që të aplikojnë programe të nivelit të dytë të financuar plotësisht nga të ardhurat e përgjithshme për të plotësuar ato programe të bazuara në financimin kontributiv. Këto programe si rregull financojnë mbrojtje për ata që nuk kualifikohen për përfitime kontributive. Financimi i skemave të tilla realizohet përmes taksimit, si tatimi mbi të ardhurat, taksa mbi shitjet, taksa mbi ambientin (ndotjet), fitime nga bursa (një pjesë), taksa mbi teknologjinë, taksa mbi token, pagesa për shërbime nga shteti etj. Në Evropë njihen disa sisteme të mbrojtjes sociale; (i) sistemi skandinav, (ii) anglosakson, (iii) sistemi kontributiv të vendeve të Evropës kontinentale dhe (iv) sistemi miks i vendeve të Evropës Jugore. Këto sisteme dallohen prej njëri-tjetrin si nga mënyra e sigurimit të mbrojtjes sociale, ashtu edhe nga mënyra e financimit të tyre. Dhe mbrojtja sociale varion nga mbulimi i plotë i detyruar dhe pa dallime (vendet skandinave) e deri në një sigurim miks universal dhe kontributiv, që është një sistem selektiv me tipare të dallueshme klienteliste (vendet e Evropës Jugore, Portugali, Spanjë, Greqi).2. Mbrojtja sociale në Shqipëri Programi kryesor i pagesave në para është ndihma ekonomike, që i korrespondon pagesës jokontributive. Kalimi në rrugën e ekonomisë së tregut, në vitet '90, u shoqërua me mbylljen e industrive, rritjen e nivelit të papunësisë, varfërisë dhe emigracionit. Zhvillimet e reja u shoqëruan edhe me thellimin e pabarazive ekonomike e sociale dhe krijimin e grupeve dhe individëve të ekspozuar ndaj rrezikut të përjashtimit social. Sot në Shqipëri, sipas statistikave zyrtare, 18% e popullsisë jeton nën nivelin e varfërisë absolute, nëse kufiri i varfërisë rritet me 5%, atëherë nën këtë nivel bie 25% e popullsisë. Programet e ndihmës ekonomike mbulojnë rreth 110 mijë familje, të cilat përfitojnë ndihmë ekonomike; mbi 105 mijë persona me aftësi të kufizuara ose afro 3% të popullsisë, që marrin një pagesë mujore për aftësinë e tyre të kufizuar. Shkalla e varfërisë është nga më të lartat në Evropë. Prej vitit 2002, alokimi i fondeve për ndihmën ekonomike ka rënë nga 0.8% në 0.4% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, jo për shkak të rritjes së nivelit të jetesës së popullsisë, por për shkak të mosefektivitetit të skemës së aplikuar të ndihmës ekonomike. Për të mbrojtur familjet e varfra nga rritja e çmimit të energjisë elektrike dhe nxitur pagesën e energjisë, në vitin 2003 u zbatua skema e kompensimit të çmimit të energjisë. Por në praktikë zbatimi i kësaj skeme dështoi, programi nuk i nxiti familjarët e varfër për të paguar faturat e energjisë, që ishte edhe synimi i aplikimit të këtij programi. 2.2 Sigurimet shoqëroreSistemi i sigurimeve shoqërore në Shqipëri është pjesërisht i trashëguar nga e kaluara dhe ishte hartuar në mënyrë që ofronte sigurim gjithëpërfshirës për vjetërsi, paaftësi, vdekje, sëmundje afatshkurtra, afatgjata dhe papunësi mbi bazën e kontributit të bërë si nga punëdhënësi, ashtu edhe nga punëmarrësi. Ky sistem funksiononte relativisht mirë në kushtet e një punësimi të lartë të krahut të punës në sektorin formal. Sistemi i sigurimeve shoqërore në Shqipëri sot ndodhet para shumë problemeve, siç janë; niveli i lartë i kontributeve, që përkthehet në çmim të lartë të punës në treg; informalitet i lartë, që çon në mosdeklarimin e numrit real të të punësuarve; deklarim fiktiv i niveleve të ulëta të pagave, që nuk lejon grumbullimin e të ardhurave reale të kontributeve; trajtim i pabarabartë i kategorive të ndryshme të pensionistëve, qeveria ka ndihmuar pensionistët e zonave rurale, duke rritur përfitimet, ndërsa pagesa e kontributeve nga kjo kategori është shumë e ulët, ndërsa pensionistët e qytetit paguajnë kontribute të larta për një përfitim të ulët; zgjerim fiktiv i numrit të kontribuesve, kontribute të ulëta për kontribuesit ambulantë dhe përfitime të larta të pamerituara; evazion i lartë nga pagesa e detyrimeve për shkak të tregut informal (38% e ekonomisë është informale, sipas OECD), vetëm nga efekti i deklarimit të pagës minimale për efekt sigurimi ka një evazion vjetor prej 3.5 miliardë lekë, ndërsa raporti kontribues/përfitues vazhdon të mbetet në nivele shumë të ulëta. Nëse kësaj gjendje i shtojmë edhe ndryshimet e shpejta demografike që kanë ndodhur në 20 vitet e fundit, ku numri i popullsisë së moshuar është rritur me 3% (nga 5.3% në vitin 1987, në 8.3% në vitin 2007), atëherë konkluzioni se kjo politikë po çon në deficite të ardhshme fiskale, në përfitime të ulëta dhe në një përqindje të lartë të popullsisë të ekspozuar ndaj rrezikut të margjinalizimit social, është një paralajmërim realist dhe serioz. se politika e mbrojtjes sociale duhet të trajtohet me urgjencë, përgjegjshmëri dhe profesionalizëm, në mënyrë që në të ardhmen e afërt të mos ndodhemi para të "papriturave" të paralajmëruara e të pariparueshme, me pasoja për gjithë vendin.Rritja e ngadalshme e pensioneve ka bërë që pensionet të mbeten shumë prapa në krahasim me pagesat e tjera në vend. Sistemi aktual i pensioneve është shumë vulnerabël edhe për shkak të rritjes së numrit të personave, të cilët nuk mund të marrin pension për shkak se nuk kanë derdhur kontribute mbi bazën e të cilëve të llogaritet pensioni. Ndërsa inflacioni dhe rritja e çmimeve ka përshpejtuar uljen e vlerës reale të pensioneve. Në vitin 2007 pensionet ishin 3% më të ulëta se ato të vitit 2005. Në vitin 2005 llogariteshin rreth 300 mijë pensionistë të varfër, ndërsa në vitin 2007 ky numër ka kaluar 400 mijë. Praktikisht sistemi i sigurimeve shoqërore në Shqipëri është një përzierje e sistemit kontributiv me atë jokontributiv.Duke pasur parasysh nivelin e ulët të pensioneve, moshimin me ritme të larta të popullsisë dhe faktin që në të ardhmen vetëm pensioni nuk mund të sigurojë kushte dinjitoze jetese për moshën e tretë, mendojmë se ka ardhur koha që në Shqipëri të fillojë integrimi i pensioneve në skemën e përgjithshme të mbrojtjes sociale. Shembujt ekzistojnë, eksperienca të ngjashme gjenden si dhe mund të përshtaten, i rëndësishëm është vullneti për të bërë ndryshimin e nevojshëm dhe konsiderimi i faktit që mirëqenia personale nuk mund të realizohet nëse rrethohet nga mjerimi. Është ky këndvështrim dhe filozofia e bazuar në solidaritetin social, respektin ndaj dinjitetit njerëzor dhe kontributin e brezave, që shërbeu si nxitje për hartimin dhe përgatitjen e projektligjit "për kujdesin ndaj moshës së tretë" si fillimi i procesit të integrimit, së pari ndërmjet nesh e më pas në Evropën e Bashkuar.