Mbulim i 90% të vendit me ujë 24 orë

TIRANË, 29 mars /ATSH/ Partia Socialiste shpalosi sot programin “Shqipëria 2030”. Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste, u ndal tek uji. Rama theksoi se deri në fund të mandati të katër do të ketë mbulim të përgjithshëm 90% të perimetrit të vendit për furnizimin me ujë 24 orë.
Rama theksoi se kur qeveria mori detyrën, furnizimi me ujë 24 orë ishte në vetëm 4 zona urbane dhe asnjë zonë rurale nuk kishte një furnizim të tillë.
“Vijmë tek uji, sepse edhe te uji kemi për të treguar faktet. Faktet që nuk dalin në televizor, faktet që nuk dalin në portale, faktet që mbulohen çdo ditë nga llumi i kënetës, nga moçalishtet, nga të gjithë insektet që jetojnë mbi ujin e kënetës dhe pastaj shkojnë edhe parkojnë nëpër ato, nëpër ato kashtoret e studiove televizive. Kur ne morëm detyrën, furnizimi me ujë 24 orë ishte vetëm në 4 zona urbane, asnjë zonë rurale”, tha Rama.
“2024 ne e kemi mbyllur me 43 zona urbane dhe me 98 zona rurale, që furnizohen 24h rregullisht dhe deri në fund të mandatit të katërt, kemi këtë situatë për të adresuar: 16 zona urbane të mbetura, nga të cilat 11 janë në kantier sot që flasim dhe 37 zona rurale, që do të thotë një mbulim i përgjithshëm 90% i perimetrit të Republikës 24 orë, ndërkohë që ai 10% janë pika shumë të largëta nëpër male, që është e pamundur dhe që ekzistojnë edhe në vende të tjera”, theksoi Rama.
Kryeministri gjithashtu theksoi rëndësinë e zhvillimit rajonal dhe investimeve në infrastrukturën e qyteteve dhe fshatrave të thella.
“Dhe zhvillimi rajonal, zhvillimi i qyteteve, shumë i rëndësishëm, shumë i rëndësishëm për komunikimin me qytetarët në çdo qark. 2 miliardë euro, 1200 projekte në të gjithë territorin e vendit, nga qendrat e qyteteve, zona urbane, zona periferike, zona rindërtimi, zona bujqësore deri në fshatra të thellë malorë”, tha Rama.
Rama theksoi se “nga gjithë ky investim janë krijuar 100 mijë vende pune, pra është dhënë punë, është krijuar punë. Dhe janë mbi 5 mijë biznese të reja falë shtrirjes së këtyre projekteve në infrastrukturën rajonale, urbane dhe rurale”.
“10 miliardë euro është shtuar vlera e banesave në dhjetë vitet e fundit”, theksoi Rama.
“Shqiptarët kanë një pasuri 10 miliardë euro më të lartë të patundshme vetëm nga impakti i këtyre investimeve. Ka dhe disa llogari të tjera përsa i përket kostove. Është ulur shumë kostoja e lëvizjes si pasojë e përmirësimit të infrastrukturës. Në gjithë këto territore, është kursyer 30 milionë euro çdo vit, vetëm nga karburanti, kostoja e karburantit dhe mirëmbajtja e mjeteve, ndërkohë që në periudhën që vjen, do të vazhdojmë shumë me projektet e uljes së konsumit të energjisë nga banesat. 10 milionë euro janë kursyer deri tani po mund të bëjmë kursime shumë më të mëdha”, tha Rama.
/r.e/