Mbyllen dy ndeshjet e para të Superligës, fitojnë Egnatia dhe Bylis

TIRANË, 18 janar/ATSH/ Superliga shqiptare e futbollit zhvilloi këtë të shtunë dy ndeshjet e para të raundit të 21-të.
Në “Arenën Kombëtare” Tirana vendase u mposht 0-4 nga kampionët në fuqi të Egnatias. Pjesa e parë e ndeshjes u mbyll pa gola, ndërsa 45 minutat e dyta dhuruan 4 gola.
Serxho Ujka, Regi Lushkja, Bakayoko dhe Edison Ndreca shënuan për rrogozhinasit e trajnerit Edlir Tetova. Me 36 pikë Egnatia merr momentalisht kreun e Superligës, ndërsa Tirana me 18 pikë ndodhet në vendin e parafundit.
Në Laç vendasit u mposhtën 0-3 nga Bylis. Miqtë marrin fitoren e dytë radhazi dhe shtojnë presionin te Tirana e cila ndjek nga pas. Pasi mposhtën Dinamon një javë më parë, Bylis triumfoi në udhëtim me dopietën e Berko dhe golin e Peralta.
/r.e/