Mbyllet Java e 14-të e Superiores, Egnatia humb në shtëpi dhe Vllaznia barazon me Vorën

TIRANË, 4 dhjetor /ATSH/ Java e 14-të e kategorisë “Abissnet Superiore” u mbyll sot me dy ndeshjet e fundit, ku Vllaznia është ndalur në barazim nga Vora, ndërsa Flamurtari ka marrë tri pikë të vyera përballë Egnatias.
Vllaznia është ndalur në “Loro Boriçi” në barazim 0-0 nga Vora dhe duket se është futur në krizë për fitoren, që i mungon që nga ndeshja me Dinamon. Pas barazimit me Partizanin dhe humbjen ndaj Teutës, u regjistrua zhgënjimi i radhës në Shkodër.
Vora ndërkohë i gëzohet pikës së fituar, pasi mban vendin e shtatë në renditje. Ky barazim për ekipin e Arjan Bellajit vjen pas rezultatit 1-1 ndaj Flamurtarit në Vlorë.
Egnatia ka bërë edhe më keq, duke u mundur nga Flamurtari në Rrogozhinë. Skuadra vlonjate ka luajtur shumë e kujdesshme ndaj kampioneve në fuqi që luanin për kreun e kampionatit dhe goditën me një kundërsulm në minutën e 36-të ku Ramirez shënoi golin e fitores për vlonjatët. Edhe pse vendasit u përpoqën shumë me sulmin e rrezikshëm nuk arritën dot ta gjenin rrugën e rrjetës. Kjo fitore e afron Flamurtarin me grupin e skuadrave larg zonës së ftohtë të klasifikimit.
Pas ndeshjeve të sotme AF Elbasani vazhdon të kryesojë i vetëm me 26 pikë, teksa ngjesh edhe më shumë grupin e skuadrave që luajnë për katërshen e parë, pasi verdheblutë i ndajnë vetëm 4 pikë nga Teuta e vendit të pestë.
Ndërkohë, fitorja e Flamurtarit në fundin e tabelës e bën më interesante luftën për mbijetesë, pasi vlonjatët kanë bërë hapa të rëndësishëm para në tabelën e klasifikimit.
