Mbyllet greva, shuhet iluzioni i Edi Ramës
Dështoi skema jakobine e PS për të përdorur mercenarë nga shtresa e ish-të përndjekurve. Shuhet iluzioni i Edi Ramës për një revolucion të blerë, për marrjen e pushtetit nëpërmjet keqpërdorimit të sakrificës së kundërshtarëve të vërtetë të diktaturës enveriste. PS heshti dje me cinizëm, bile u përkujdes që të kujtonte, se sido që të vinin punët, ajo s’kishte për t’i paguar kurrë këstet e dëmshpërblimit që përcakton ligji i 2007-s
Shumë zhurmë për asgjë... greva u ndërpre. Pas ngujimit 31 ditor në çadra plastmase një grup personash ish-të përndjekur politikë dolën nga greva. Çuditërisht vendimi u mor nga vetë grevistët dhe jo nga kryetari i grevës së urisë Skënder Tufa, në një kohë që edhe Gjykata e Tiranës e kishte vlerësuar atë të paligjshme. Pasi dolën nga çadrat e grevës, grevistët nuk paraqitën ndonjë axhendë të re për protestën e tyre. Ndërsa kryetari i grevës së urisë Skënder Tufa i udhëzuar jo nga grevistët, në fakt deklaroi se protesta do të vijojë. Kuptohet vetiu disa grevistë kishin kërkesë të tyre marrjen jashtë radhe të shpërblimit për burgun e kryer në kohën e diktaturës komuniste, ndërsa koordinatorët Tufa-Patrioti kishin kërkesa politike. Nga ana e saj, mazhoranca ka deklaruar se greva ishte krye këput politike dhe e mbështetur nga opozita, pasi grevistët kanë marrë këstet e para të kompensimit dhe janë në proces për këstet e tjera deri në kompensimin përfundimtar. Megjithatë nga gjithë kjo histori një gjë ra në sy: keqpërdorimi i formave demokratike të protestës, çka u cilësua dhe e paligjshme nga një gjykatë që zbaton ligjin. Kryetari i grevës Skënder Tufa, një ish-i dënuar për prostitucion, jo në komunizëm por në vitin 2005 me 7 vjet burg, është shprehur se “qeveria Berisha po na censuron”, kur në të vërtetë ishte në të gjitha mediat si koordinator i asaj greve urie të çuditshme një mujore. Kjo grevë ishte treguesi më i mirë i shpërdorimit të lirisë që të jep demokracia për të manifestuar, qoftë dhe nga një grup njerëzish të pamoralshëm që spekulonin sa me emrin që e thërritën veten (të persekutuar) po aq me kauzën (nga rehabilitim moral) duke e kthyer në një ultimatum për para, si me dhuratën e jetës, duke u bërë presion ndërkombëtarëve dhe me likuidim fizik të vetes nëpërmjet vetëflijimin të organizuar me benzinë dhe uri. Greva e kryesuar nga një ish-tutor prostitutash dhe një “mashtrues” në procedim e sipër penal, tregoi se një formacion politik si PS-ja bashkë me bamirësit e saj aq të pamoralshëm saqë nuk kanë fre për të përdorur çdo metodë, çdo fundërrim dhe çdo pseudo-kauzë me qëllimin e marrjes së pushtetit duke dëmtuar kontingjentin elektoral të kundërshtarit. Këto metoda allasoj, ngjajnë me metodat jakobinë, të marrjes së pushtetit nëpërmjet manipulimit të shtresave të caktuara shoqërore. Fakti që një nga ish të përndjekurit (Gjergj Ndreca) të ndezur në flakë nga shoku i tij me tre emra, disa muaj me parë qëndronte në një tryezë me Edi Ramën dhe Gramoz Ruçin duke diskutuar gjëra pa lidhje me ish-të përndjekurit dëften për porositësit në prapaskenë të kësaj grevë të ashtuquajtur urie. Edi Rama priti për një muaj që të ndizej “situata revolucionare” siç e këshillojnë zarët pa bosht në realitetin politik shqiptar. Sidoqoftë të protestosh qoftë dhe me grevë urie është një e drejtë demokratike dhe që respektohet nga shteti shqiptar. Por të synosh nënshtrimin e qeverisë së shumicës së shqiptare me precedentë të rrezikshëm, ku disa njerëz me sjellje sado-mazohiste (vetë-djegies) japin ultimatume politike është e papranueshme. Ashtu siç ishte e papranueshme greva e 200 petritëve të PS-së me çadra përballë kryeministrisë, po aq e papranueshme ishte greva e tutorëve, mashtruesve dhe bixhozxhinjve.
...