E Diel, 1 Nëntor 2026

Mbyllet protesta e 130-të para Kryeministrisë, protestuesit: “Nesër më shumë”

Mbyllet protesta e 130-të para Kryeministrisë, protestuesit: “Nesër më shumë”

Bulevardi “Dëshmorët e Kombit” është kthyer sërish në qendër të protestës kundër qeverisë, ku qindra protestues janë mbledhur para Kryeministrisë, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe të qeverisë.

Gjatë tubimit, protestuesit kanë brohoritur në mënyrë të përsëritur “Poshtë qeveria!” dhe “Rama, jep dorëheqjen!”.

Sipas informacioneve nga terreni, protestuesit kanë dyshuar se kryeministri Edi Rama ndodhej brenda godinës së Kryeministrisë, çka ka bërë që grumbullimi para saj të vijojë dhe thirrjet të intensifikohen.

Protesta e sotme, 7 tetor, ishte e 130-ta kundër qeverisë. Në përfundim të tubimit, protestuesit janë larguar duke thirrur në kor: “Nesër më shumë”.

Protesta pritet të vijojë edhe nesër, ndërsa në Kuvend pritet të votohet projektligji për reformën territoriale, që parashikon ndryshime në hartën administrative të vendit dhe bashkimin e disa bashkive.

Protestuesit e kundërshtojnë reformën, duke e akuzuar qeverinë se përmes ndryshimeve territoriale po kontribuon në shpopullimin e vendit.

Dorëheqja e kryeministrit Edi Rama dhe e qeverisë mbetet prej kohësh kërkesa kryesore e protestuesve, të cilët e akuzojnë qeverinë për korrupsion dhe përfshirje në një sërë skandalesh.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›