Mbyllet seanca për Veliajn në Kushtetuese, vendimi në ditët në vijim

Pas një seance maratonë që nisi prej orës 10 të paradites së sotme, Gjykata Kushtetuese nuk mori asnjë vendim për çështjen “Veliaj” duke e shtyrë atë në një datë tjetër.
Kryetarja Olta Zaçaj deklaroi se më vonë do të njoftohemi për datën dhe orën përfundimtare. Ndërsa kujtojmë se, Gjykata Kushtetuese ka 30 ditë kohë për të shpallur vendimin.
Pas 7 orëve seancë Erion Veliaj, me pranga në duar, është shoqëruar sërish për në burgun e Durrësit.
Gjatë mbrojtjes së tij, Veliaj u shpreh para Kushtetueses se shkarkimi i tij nga detyra e kryetarit të bashkisë së Tiranës është një shkelje e rëndë e parimeve themelore të demokracisë.
Ai tha se gjendet përpara trupës së Gjykatës Kushtetuese, pas një sage të gjatë zhgënjyese për të dëgjuar se çfarë paska bërë që u rrëmbye nga zyra ku e kanë zgjedhur qytetarët dhe është mbyllur në një qeli me një regjim burgosjeje apo shoqërimi më të rëndë se të një vrasësi serial.
Në seancë, Këshilli i Ministrave përfaqësohej nga avokatët Herald Jonuzaj, Vangelt Duni, Avokatja e Shtetit Irma Qosja.
Presidenca përfaqësohej nga juristët Hemion Braho, Ilirjan Rusmajli, Erjola Shia, ndërsa Erion Veliaj nga mbrojtësit ligjorë Ermal Yzeiraj dhe Alban Dokushi.
Më 25 shtator, Këshilli i Ministrave e shkarkoi Veliajn pas propozimit të këshillit bashkiak Tiranë duke u mbështetur në ligjin për qeverisjen vendore, me argumentin se nuk është paraqitur prej 3 muajsh në detyrë.
Më 1 tetor, Presidenti Bajram Begaj dekretoi zgjedhjet e pjesshme edhe për Tiranën, i cili me vendim të ndërmjetëm nga Gjykata Kushtetuese u pezullua deri në shprehjen përfundimtare për shkarkimin e Veliajt.
Veliaj ndodhet në paraburgim që prej 10 shkurtit, pas vendimit të Gjykatës së Posaçme për masën e sigurisë “arrest në burg”, kërkuar nga SPAK.