Mbyten babë e bir, ranë në pusin e mbushur me ujë
Aksidenti
Dy persona të së njëjtës familje kanë humbur jetën mesditën e së dielës, pasi kanë rënë në një pus me ujë. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në fshatin Thanë të Cërrikut, ku babë e bir, Enver dhe Florenc Hoxha, përkatësisht 56 dhe 26 vjeç, ishin duke pastruar pusin pranë banesës së tyre. Burime nga policia bëjnë me dije se personat në fjalë, gjatë aksidentit fatal, kanë qenë duke pastruar pusin e tyre privat, në mënyrë primitive dhe pa marrjen e masave të sigurisë. Aksidentalisht ata kanë rrëshqitur, duke përfunduar në fund të pusit, ku edhe janë mbytur në tentativa për të ndihmuar njëri-tjetrin. Policia, e cila ka shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes, ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe dokumentimin e plotë të saj. Ndonëse uniformat blu dhe shërbimi zjarrfikës kanë tentuar që të nxjerrin trupat nga pusi, me një thellësi prej 25 metrash, ka qenë e pamundur. Për të realizuar këtë operacion, është kërkuar ndihma e palombarëve me mjete më të specializuara, të cilët disa orë pas ngjarjes, bënë nxjerrjen e dy viktimave nga thellësia e pusit. S. M.
Mbyten babë e bir, ranë në pusin e mbushur me ujë burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip