E Hënë, 2 Nëntor 2026

Me 75 vota pro, miratohet në parim buxheti për vitin 2025

Pas 23 orë debatesh Parlamenti miratoi buxhetin për vitin e ardhshëm.

Ligji mori 75 votat e deputetëve të mazhorancës, ndërkohë që 40 deputetë të opozitës votuan kundër.

Ky është buxheti i fundit i qeverisë së drejtuar nga Edi Rama në prag të zgjedhjeve parlamentare, ndaj debati  u fokusua tek beteja e ardhshme elektorale.

“Uroj e shpresoj të jetë buxheti i fundit i socialistëve. 95% e shqiptarëve paguajnë më shumë taksa, çmime më të rritura dhe janë më të varfër. Të gjithë ata pensionistë që presin lëmoshën e qeverisë kanë nevojë për sistem të ri pensionesh”, tha Jorida Tabaku, kryetare e Komisioni të Integrimit

“Keni çdo vit qe thoni buxheti i fundit, por do t’a degjoni edhe vitin tjetër, edhe vitin tjetër se ne jemi angazhuar të ngreme flamurin e Shqipërisë në BE”, deklaroi Eduard Shalsi, kryetar i Komisionit të Ekonomisë.

Ndërsa diskutohej për buxhetin, jashtë ambjenteve të Parlamentit, Partia Demokratike organizoi një protestë e cila zgjati rreth 2 orë. Protesta u fokusua tek pensionistët pasi buxhetin për vitin e ardhshëm nuk parashikon rritje të pensioneve, por vetëm indeksim.

Buxheti për vitin 2025 është buxheti më i madh në 3 dekada dhe kap vlerën e 8.2 miliarde euro.

Nga nesër komisionet e Kuvendit nisin diskutimin nen për nen të këtij ligji dhe në datën 3 dhjetor Parlamenti do të mblidhet sërish për miratimin në terësi të buxhetit për vitin 2025. /vizionplus.tv

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›