E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

“Me SHBA, marrëdhënie të shkëlqyera”! Meta për tensionet në veri: Përgjegjësi ka edhe Rama, Beogradi financon strukturat kriminale

Kryetari i Partisë së Lirisë Ilir Meta ka komentuar në emisionin “Mirëmëngjes Shqipëri”, marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ndalur te raportet me Ambasadoren amerikane Yuri Kim, kreu i Partisë së Lirisë i konsideroi të shkëlqyera. Koha, theksoi Meta, ka treguar drejtësinë e koherencës së tij.

“Marrëdhëniet e mia kanë qenë dhe janë të shkëlqyera me SHBA sepse kam qenë i vërtetë dhe koha ka treguar drejtësinë e koherencës sime”, deklaroi Meta ndërsa ironizoi dhe marrëdhëniet e ambasadores me Kryeministrin Rama. Për këtë të fundit, Meta u shpreh se nuk duhet t’i kërkojë përgjegjësitë te të tjerët.

“Demokracia dhe liria në radhë të parë na takon ne dhe duhet ti zhvillojmë vetë. Një popull dhe komb i pjekur si kërkon përgjegjësitë te të tjerët. Demokracia është e jona, kushtetuta është e jona dhe duhet ti dalim për zot vetë që meritojmë të ecim në rrugën e qytetërimit dhe autokracisë”, tha Meta.

Ndërkohë sa i përket situatës së tensionuar në veri të Kosovës, Kreu i Partisë së Lirisë u shpreh se kërcënimi i vetëm për qytetarët janë bandat e konsoliduara prej kohësh dhe të aktivizuara nga Beogradi.

“Kërcënimi i vetëm për qytetarët në veri të Kosovës, janë bandat e konsoliduara prej kohësh. Përgjegjësia është e Beogradit që i mban gjallë dhe i aktivizon, dhe përpiqen të dekurajonë qytetarët e Kosovës. Qytetarët serb në Kosovë gëzojnë të drejta, që s’do i kushtoheshin në Serbi.

Nuk është betejë e Beogradit për të drejtat e tyre, por vazhdimi i politikave të vjetra të Millosheviçit dhe një shërbim që i bëhet regjimit të Rusisë për të krijuar vatra tensioni për të shpërndarë vëmendjen ndaj krimeve që po ndodhin në Ukrainë”, u shpreh Meta, teksa theksoi se një përgjegjësi për këto tensione rëndojnë edhe mbi Kryeministrin Rama i cili sipas kreut të Partisë së Lirisë, në shumicën e rasteve ka qenë shoqërues i Presidentit serb Aleksandër Vuçiç në iniciativa për t’i dhënë prioritet Serbisë në dominimin në rajon.

“Ka përgjegjësi dhe Rama se ka qenë në shumicën e rasteve një shoqërues i presidentit serb në iniciativat e tij për ti dhënë prioritet Serbisë në dominimin në rajon që është në kundërshtim me frymën e bashkëpunimit që kërkon integrimi. Nuk i kanë shërbyer as forcimit të pozitës së Kosovës duke e vendosur në trysni, për të ndihmuar Serbinë për tu dukur si vend konstruktiv dhe për të ekspozuar Kosovën si një vend që nuk do bashkëpunim.

Serbia me këtë lidership që ka nuk do jetë e gatshme të bëjë atë zgjidhje që premtoi kur nisën negociatat dhe kur nisi dialogu me Kosovën, i shfrytëzoi për të marrë sa më shumë para nga BE”, theksoi Meta.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›