E Shtunë, 31 Tetor 2026

Me art kundër vizave

Rruga e Kosovës drejt integrimit evropian do të pasqyrohet edhe në pëlhurë. Artistë nga shtetet e BE’së dhe të Ballkanit, bashkë me ata nga Kosova, do të jenë pjesë e edicionit të parë të kolonisë së artistëve “Art Liberalization Europe”, që organizohet nga Qendra Open Art.

Organizatorët pohojnë se aktualisht po bëjnë konfirmimin e pjesëmarrësve ndërkombëtarë në koloninë e artit. Pjesë e këtij manifestimi pritet të jenë 50 artistë, 18 prej të cilëve ndërkombëtarë. Artistët ndërkombëtarë që tashmë e kanë konfirmuar pjesëmarrjen janë nga Holanda, Sllovenia, Kroacia, Turqia, Mal i Zi, Maqedonia, Shqipëria, Gjermania, Bosnje e Hercegovina dhe Bullgaria.

Kolonia e artistëve zyrtarisht filloi më 12 korrik, me hapjen e ekspozitës personale të artistit holandez, Willem Van Hest, në Qendrën Open Art, në Prishtinë.

Artistët do të kenë në dispozicion tri ditë që të punojnë në tablotë e tyre. Për këto tri ditë ata do të paraqesin artin e tyre individual, që pastaj do të ekspozohet në galerinë Open Art, më 15 korrik, nga ora 20, kur edhe përfundon kolonia.

Në fakt, Open Art synon që këtë manifestim ta shndërrojë në aktivitet të përvitshëm, megjithëse secilin vit synohet trajtimi i temave të ndryshme. Qëllimi i manifestimit është promovimi i rrugës së Kosovës drejt BE’së, natyrisht, nëpërmjet pjesëmarrjes së artistëve profesionistë nga vende të ndryshme të botës.

Manifestimi i sivjetmë do të mbahet në Hotelin Sirius (Prishtinë) dhe në Vila Gërmia (në Parkun e Gërmisë).

Ndryshe, disa prej pjesëmarrësve vendorë në koloni janë: Erzen Vala, Zymer Mulliqi, Ismet Jonuzi, Visar Mulliqi, Hajrush Fazliu, Zake Pprelvukaj, Muhamet Ahmeti-Metis, Merita Jaha, Isa Alimusaj, Fehmi Hoxha, Refki Gollopeni, Saranda Kika, Bardha Buza–Ferizi, Burim Gashi, Dafina Hajra, Suad Rama, Urasn Limani, Ardiana Marku, etj. Ndërkohë që disa prej pjesëmarrësve ndërkombëtarë janë: Muhamedali Alili, Safet Spahiu, Burhan Ahmeti, Verim Zendeli (Maqedoni); Emine Tokmakkaya, Seda Ogurtani (Turqi); Willem Van Hest (Holandë); Miroslava Zaharieva (Bullgari); Vahida Hasanaga-Nimanbegu (Mal i Zi); Marijeta Sidovski (Vojvodinë/Serbi); Pashk Përvathi, Artan Marku, Helidon Haliti, Florida Xheli, Jona Dividi, Vitjola Stefani e Admir Përvathi (Shqipëri); Agim Nezaj (Zvicër), etj.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›