Me buldozer për të shkatërruar pasuritë arkeologjike në Shqipëri
Vandalët në Shqipëri, në kërkim të arit dhe artefakteve po shkatërrojnë arkeologjinë shqiptare nën hundën e autoriteteve. Kështu raporton Balkan Insight, që ka bërë një shkrim të gjatë në lidhje me këtë çështje. Shkrimi nis me shkatërrimin në Tumën e Bajkajve, ku vandalët ndërhynë me buldozer për të shkatërruar një pasuri monumentale të vendit.
Por sulmi nuk është i pari dhe as i fundit.
Arkeologët dhe aktivistët thonë se vendet arkeologjike janë shënjestër e rregullt e vandalëve, që në dy dekadat e shkuara i kanë shkaktuar dëme të tmerrshme trashëgimisë kulturore në vend, shkruan Balkan Insight.
Për këtë çështje ka folur edhe Lorenc Bejko, profesor i arkeologjisë në Universitetin e Tiranës.
Rastet janë të përhapura në mbarë vendin. Ne kemi të dhëna se vandalizma ka edhe në zona të mbrojtura si nekropoli i Apolonisë. Kudo, nga jugu në veri dhe lindja në perëndim, vandalët po kërkojnë për thesare të varrosura dhe artefakte, duke shkaktuar një dëm jashtëzakonisht të madh, thoyë Bejko.
Sipas tij, 75 përqind e zonave arkeologjikë në vend janë përballur me vandalizma vitet e fundit.