“Me rënien e Vuçiçit, Rama mbetet i pambrojtur” – Revolta studentore, Genc Burimi: Ultimatumi ndaj kryeministrit mund të vijë nga Evropa, prano qeverinë teknike ose…
Analisti Genc Burimi deklaroi se pushteti i kryeministrit Edi Rama pësoi një “krisje” me rënien e Aleksandër Vuçiç në Serbi. Në një intervistë për News24, ai deklaroi se rezultatet zgjedhore në Serbi japin shpresë për shqiptarët, se protesta mund të japë rezultate të ngjashme edhe në Shqipëri.

Burimi tha se protestat për largimin e Ramës synojnë edhe tërheqjen e vëmendjes së kancelarive europiane ndaj zhvillimeve në vend.
Sipas Burimit, në një moment, partnerët europianë mund të vlerësojnë se mbështetja për vazhdimin e qeverisjes së Ramës ka një kosto më të lartë sesa ndryshimi politik.
Ai përmendi se evropianët mund të përdorin kundër Ramës “embargon ekonomike” dhe çështjet me drejtësinë.
“Protesta në Shqipëri ka synim jo vetëm Edi Ramën por për të nxjerrë nga heshtja edhe kancelaritë evropiane. Në një moment të caktuar do të bëjnë llogarinë se mbase mbajtja e Ramës në pushtet është më e kushtueshme sesa zëvendësimi i tij, ose do ta vënë Ramën në një embargo ekonomike, ose do t’i thonë Ramës se ke dosje në SPAK. Prandaj ose prano negociatën, atë qeverinë teknike ose do të largohesh me pahir. Drejt kësaj po shkojmë.”, tha ai.
Ai deklaroi se zgjedhjet duhet të shoqërohen edhe me aksione të ndërmarra nga drejtësia, duke shtuar se kryeministri nuk duhet të lejohet më të jetë pjesë e skenës politike dhe institucionet të veprojnë ndaj tij.