Më shumë se 50,000 njerëz të arrestuar në Iran, SHBA rrëzon dronin që po i afrohej aeroplanmbajtëses

Ushtria amerikane ka rrëzuar një dron iranian që po i afrohej aeroplanmbajtëses USS Lincoln, raporton Reuters.
Incidenti ndodhi në Detin Arabik dhe vjen në mes të një periudhe tensioni, me forca të forta amerikane të grumbulluara në rajon dhe Shtëpinë e Bardhë që nuk e përjashton plotësisht ndërhyrjen ushtarake.
Ndërkohë, më shumë se 50,000 persona janë arrestuar në Iran nga autoritetet, tha sot një organizatë joqeveritare, duke thënë se shtypja vazhdon në vend.Republika Islamike shtypi me gjak një lëvizje të madhe proteste që shpërtheu në fund të dhjetorit dhe arriti kulmin më 8 dhe 9 janar në fillim të janarit.
Autoritetet iraniane pranojnë se mijëra njerëz kanë vdekur, por thonë se shumica dërrmuese ishin anëtarë të forcave të sigurisë ose kalimtarë të vrarë nga “terroristët” që vepronin në emër të Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit.
Agjencia e Lajmeve të Aktivistëve të të Drejtave të Njeriut (HRANA), e cila më parë kishte raportuar më shumë se 42,000 arrestime, e rishikoi shifrën e saj lart sot, duke regjistruar tani të paktën 50,235 arrestime në lidhje me protestat.
Këto arrestime kishin në shënjestër “një gamë të gjerë qytetarësh, kryesisht studentë, shkrimtarë dhe mësues”, sipas organizatës me seli në SHBA, e cila shton se në disa raste, arrestimet u shoqëruan me “kontrolle shtëpish dhe sekuestrim të sendeve personale”. HRANA gjithashtu raporton më shumë se 300 “rrëfime të detyruara” të transmetuara në televizion.
Javën e kaluar, Amnesty International shprehu gjithashtu shqetësim për arrestimin e mijëra njerëzve, përfshirë fëmijë.
Këta njerëz, sipas OJQ-së, janë “në rrezik të madh zhdukjeje me forcë, torturës dhe keqtrajtimeve të tjera, vdekjes në paraburgim dhe ekzekutimeve arbitrare pas gjyqeve që janë qartësisht të padrejta”.