Më shumë siguri në shkollat e Shkodrës, Kadija: Institucionet me numër të madh nxënësish mund të kenë deri në dy oficerë sigurie

Prania e oficerëve të sigurisë në institucionet arsimore pritet të rritet në vijim të vitit të ri shkollor. Drejtorja e Zyrës Vendore të Arsimit, Brisela Kadija, bëri të ditur se ky proces do të bazohet në një analizë të plotë të situatës në terren pas përfundimit të plotë të regjistirmeve në shkolla.
“E gjithë tabloja e plotësimit me oficerët e sigurisë do të shkojë paralelisht me mbylljen e regjistrimeve të nxënësve në institucionet arsimore. Duke parë se sa efikasë kanë qenë oficerët e sigurisë në ato institucione që ne i kemi pasur të programuar dhe të vendosur për të shërbyer, kërkesa dhe nevoja e institucioneve arsimore vazhdon të jetë e përsëritur për të pasur oficer sigurie, por e gjithë tabloja do të plotësohet vetëm në momentin që do të mbyllen të gjitha regjistrimet”, tha Kadija.
Kadija theksoi se në disa raste mund të ketë edhe shtim të numrit të oficerëve në një shkollë të vetme, duke mos përjashtuar mundësinë që institucione të caktuara të kenë deri në dy oficerë sigurie, në varësi të problematikave dhe fluksit të nxënësve.
Shtimi i oficerëve të sigurisë në shkolla synon jo vetëm rritjen e sigurisë fizike, por edhe parandalimin e incidenteve të ndryshme.
Aktualisht janë 11 institucione arsimore në Shkodër të cilat janë të pajisura me oficer sigurie.
Gazetare: M. Gjoni
/rtsh.al/