Media britanike: Shqipëria, zgjedhja ideale për një arratisje në tetor

Shqipëria po veçohet si një prej destinacioneve që ia vlen të vizitohet gjatë muajit tetor, kur temperaturat janë më të buta, çmimet më të përballueshme dhe numri i turistëve më i ulët krahasuar me muajt e pikut të verës.
Media britanike “Metro” e ka përfshirë Shqipërinë në listën e tre destinacioneve që rekomandohen për t’u eksploruar gjatë sezonit të ndërmjetëm, së bashku me Menorkën në Ishujt Balearikë dhe Napolin në Itali.
Sipas medias britanike, tetori ofron mundësinë për të shijuar Shqipërinë pa turmat që karakterizojnë muajt e verës.
Gjatë sezonit të pikut, plazhet e Ksamilit dhe Sarandës mbushen me turistë, ndërsa trafiku dhe presioni mbi infrastrukturën rriten ndjeshëm.
Por në tetor, situata ndryshon. Temperaturat janë më të moderuara dhe vizitorët mund të eksplorojnë Rivierën Shqiptare me më pak ngarkesë turistike.
“Metro” veçon gjithashtu disa prej destinacioneve kryesore të vendit, duke nisur nga Riviera Shqiptare, e cila gjatë muajve të verës është ndër zonat më të frekuentuara nga turistët vendas dhe të huaj.
Përtej plazheve, artikulli sugjeron edhe vizitën në Berat, qytetin historik të Shqipërisë së mesme, pjesë e trashëgimisë botërore të UNESCO-s.
Qyteti njihet për arkitekturën osmane dhe shtëpitë karakteristike të vendosura në shpatet e kodrave, të cilat i kanë dhënë Beratit edhe emërtimin “Qyteti i një mbi një dritareve”.
Në listën e rekomandimeve përfshihet edhe Tirana, me jetën e saj të gjallë urbane, kulturën e kafeneve dhe gjurmët e periudhës komuniste.
Për turistët që preferojnë natyrën dhe aventurën, “Metro” veçon Alpet Shqiptare, duke i përshkruar si një rajon spektakolar malor me shtigje që mund të krahasohen me peizazhet e Dolomiteve në Itali.
Moti është një tjetër avantazh i Shqipërisë gjatë tetorit. Temperaturat maksimale gjatë ditës arrijnë rreth 21°C, ndërsa gjatë natës zbresin në rreth 13°C.
Edhe çmimet e udhëtimit dhe akomodimit paraqiten si një tjetër arsye për të zgjedhur këtë periudhë. Sipas artikullit, fluturimet nga Londra drejt Tiranës me Ryanair mund të gjenden për rreth 20 paund gjatë muajit tetor.
Ndërkohë, çmimet e akomodimit mbeten relativisht të përballueshme. “Metro” përmend si shembull “King Hotel Ksmil”, ku një natë në një hotel me katër yje kushton rreth 46 paund, ndërsa një dhomë në “Doanesia Premium Hotel & Spa” në Tiranë kushton rreth 66 paund nata.
Rritja e interesit për udhëtimet në vjeshtë po vihet re edhe më gjerë. Sipas të dhënave të ABTA-s, në vitin 2025 rreth 24 për qind e turistëve britanikë deklaruan se planifikonin të udhëtonin gjatë muajve shtator-tetor, krahasuar me 17 për qind në vitin 2023.
Ndërkohë, rezervimet e hoteleve në mbarë botën për sezonin e vjeshtës janë rritur ndjeshëm, duke treguar se muajt pas verës po shndërrohen gjithnjë e më shumë në një periudhë të preferuar për pushime.
Në këtë tendencë të re të turizmit jashtë sezonit të pikut, Shqipëria po fiton një tjetër mundësi për të tërhequr vizitorë ndërkombëtarë, këtë herë jo vetëm për plazhet e saj, por edhe për qytetet historike, kulturën dhe peizazhet malore.