Mediat e Koresë së Veriut shfaqin pamjet e Kim Jong Ilit të ndjerë

Fotografitë tregojnë djalin e tij të tretë, i cili si duket është edhe pasardhësi i tij, Kim Jong Un, si dhe zyrtarë të tjerë, të rreshtuar para arkivolit, për t’i kushtuar respektin e tyre.
Trupi i të ndjerit është vendosur në Pallatin Memorial Kamsusan.
Mediat shtetërore kishin njoftuar të hënën se Kim kishte vdekur nga një sulm në zemër në moshën 69 vjeçare.
Ndërkohë, sekretarja amerikane e shtetit, Hillary Clinton tha se Shtetet e Bashkuara shpresojnë se Koreja e Veriut do ta ndjekë rrugën e paqes, pas vdekjes së udhëheqësit të tyre dhe se Shtetet e Bashkuara janë të gatshme që t’u ndihmojnë njerëzve të Koresë së Veriut.
Clinton ka kërkuar nga ky vend që të punojë me komunitetin ndërkombëtar dhe të përmirësojnë marrëdhëniet me fqinjët.
Ndërkohë, presidenti amerikan, Barack Obama ka konfirmuar sërish përkushtimin amerikan për aleatët e vet në rajon, përmes një telefonate që ka pasur me kryeministrin japonez, Joshihiko Noda.