Mediet e huaja: “A do të ketë sërish trazira në Shqipëri?”
Zhvillimet politike në Shqipëri vazhdojnë të jenë në vëmendjen e medieve ndërkombëtare, duke raportuar mbi ecurinë dhe të gjitha tratativat që po bëhen midis palëve. Ja dhe një pasqyrë e disa shkrimeve në gazetat e huaja.
“REUTERS”
“Presidenti i Shqipërisë dhe ambasadorët e huaj paralajmëruan partitë politike të lënë mënjanë diferencat e tyre dhe të investigojnë vrasjet e tre personave në protestën anti-shqiptare”, - thuhej në shkrimin e agjencisë britanike të lajmeve, “Reuters”. Më tej ajo vë theksin se “kryeministri Sali Berisha dhe lideri i Partisë Socialiste në opozitë, Edi Rama, akuzuan njëri-tjetrin për vrasjet, me secilin palë që premtoi protesta të reja e që çojnë në përshkallëzimin politik”. “Rindërtimi i dialogut politik, respekti për institucionet e shtetit dhe shprehja e pjekurisë dhe ekuilibrit është me rëndësi jetësore për të tashmen dhe të europiane të vendit”, - citon agjencia “Reuters’, presidentin e Shqipërisë, Bamir Topi. Rama duke folur për “Reuters”, tha: “Opozita nuk ka asgjë të përbashkët me dhunën, armët apo me faktin që kërkon të vijë në pushtet përmes rrugës. Ne duam të ecim përpara me një rezistencë paqësore dhe të hapim rrugën e një mundësie të re për një Shqipëri demokratike”. “Reuters” shkruan se kjo është protesta më e dhunshem në ish-vendin stalinist qysh kur protestuesit që mbështesnin Berishën mësynë të njëjtën ndërtesë qeveritare në vitin 1998.
“Financial Times”
Në një shkrim të saj, gazeta “Financial Times”, shkruante se “liderët politikë kryesorë shqiptarë duket se nuk i kanë marrë në konsideratë apelin e komunitetit ndërkombëtar për qetësi, pasi katër protestues u vranë gjatë demonstratave anti-korrupsion në Tiranë. “Ajo çfarë Shqipëria ka nevojë në mënyrë të menjëhershme në këtë moment është lidershipi politik”, - citon gazeta ambasadorin e Shteteve të Bashkuara në Tiranë, Alexander Arvizu, ndërsa thekson edhe thirrjen për “dialog konstruktiv dhe kompromis për të zgjidhur diferencat politike që ekzistojnë midis palëve”. “Financial Times” e konsideron demonstratën e së premtes së kaluar, si momentin më të keq në dhjetë vitet e fundit. Vendi po përballet me një tension politik qysh Partia Demokratike e Berishës fitoi zgjedhjet e përgjithshme me një rezultat të ngushtë në vitin 2009. “Komisioni Europian hodhi poshtë aplikimin e Tiranës vitin e kaluar për t’u bërë kandidate e Bashkimit Europian, me arsyen e një demokracie të dobët, performancë të dobët juridike dhe problemet me nivelin e lartë të korrupsionit dhe krimit të organizuar”, - shkruan “Financial Times”. Sipas gazetës prestigjioze, Berisha akuzoi socialistët u përpoqën të rrëzonin qeverinë me demonstratat e “stilit tunizian”.
UPI
“Liderit e opozitës bënë thirrje ditën e hënë për më shumë protesta, pavarësisht se kryeministri tha se një hetim do të zbardhë të vërtetën pas një grushti shtetit të supozuar”, - shkruante portali Upi.com, në shkrimin e saj me titull “A do të ketë sërish paqetësi në Shqipëri?”. “Ligjvënësit shqiptarë votuan javën e fundit për ngritur një komision special hetimi për të investiguar protestat, duke theksuar se ‘komisioni do të shqyrtojë të gjitha materialet për të vërtetën rreth grushtit të shtetit që ndodhi më 21 janar me qëllimin për të përmbysur rregullin kushtetues”, - shkruhet më tej, duke theksuar se presidenti i Komisionit Europian, Jerzhi Buzhek, shprehu “keqardhjen e thellë” për humbjen e jetëve gjatë dhunës politike. Sipas Buzhekut, humbja e jetëve duhet të shërbejë si një thirrje për liderit shqiptarë për të punuar për reformat demokratike.
“Frankfurter Allgemeine Zeitung”
"Trazira në Tiranë, raporte shqiptare", nën këtë titull, në gazetën gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung”, në lidhje me situatën në Shqipëri, shkruhet: "Një shkallëzim i konfliktit në Shqipëri kishte kohë që pritej: socialistët bllokojnë parlamentin dhe kryeministri Berisha nuk pranon të hetojë kritikat për manipulim të zgjedhjeve. BE duhet të përdorë një ton më të fortë ndaj Tiranës", - shkruan Karl Peter Schëartz. Dhe më tej: "Për fat të keq kanë të dy të drejtë: kryeministri Sali Berisha, i cili e akuzon opozitën shqiptare, se me ndihmën e "kriminelëve, banditëve dhe terroristëve", sipas "modelit tunizian" ka inskenuar trazira, dhe drejtuesi i opozitës, Edi Rama. Ai e akuzon qeverinë për korrupsion, shpërdorim postesh e manipulim të rezultateve të zgjedhjeve parlamentare të qershorit 2009. Prej një viti e gjysmë e bojkotojnë socialistët parlamentin dhe mobilizojnë mbështetësit e tyre në rrugë. Berisha nga ana e tij refuzon që të lejojë hetime kritikat për manipulimin e zgjedhjeve. Kësaj iu shtua afera e korrupsionit rreth zëvendëskryeministrit Ilir Meta- i cili i mundësoi Berishës formimin e qeverisë. Dorëheqja e tij dhe një riformim i qeverisë nuk e zbutën opozitën. Të premten në Tiranë u vranë tre demonstrues, duzina të tjerë u plagosën rëndë. Por se kush i shkrehu të shtënat mbetet e paqartë. A donte qeveria të jepte një mësim paralajmërues? Apo donin provokatorë nga radhët e socialistëve që të derdhej gjak, në mënyrë që hendeku midis qeverisë dhe opozitës të bëhet i pakapërcyeshëm? Të dyja hipotezat të duken bindëse. Në vend që ta futin vendin në BE, socialistët dhe demokratët e hedhin atë pas, në kaosin e viteve '90. Është momenti më i përshtatshëm që në BE të artikulohet një ton më i qartë përballë Tiranës", - shkruhet në gazetën “Frankfurter Allgemeine Zeitung”.
“Der Standard”
Ndërsa në gazetën austriake “Der Standard”, Norbert Mappes Niedik shkruan: "Një Tunizi i dytë nuk po përvijohet në kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranë, ku të premten u vranë tri demonstrantë. Është shumë më keq: demokracinë, për të cilën luftuan tunizianët, shqiptarët tashmë e kanë. Vetëm se askush nuk di ç'të bëjë me të. "Ti apo unë - kjo është e vetmja çështje, për të cilën grinden ata!" Që prej fundit të diktaturës brutale komuniste në Shqipëri, dy parti qëndrojnë në urrejtje të papajtueshme përballë njëra-tjetrës: "demokratët" dhe "socialistët". Ndryshime programatike midis të dyve është vështirë të dallosh. Ti apo unë - kjo është e vetmja çështje, për të cilën grinden ata. Një konkurrencë për të spostuar tjetrin. Nuk ka asnjë fitore në zgjedhje që prej vitit 1992, të cilën partia e nënshtruar ta ketë njohur pa ankesa - dhe nuk janë zhvilluar asnjëherë zgjedhje, të cilat të mos jenë manipuluar në njëfarë mënyre. Korrupsioni në vend, kundër të cilit po demonstrohet këto ditë kaq dhunshëm është vetëm një rast i mirëpritur për një raund të ri në luftën permanente finale. Por një ndryshim pushteti nuk do ta zgjidhte problemin, sepse kur ishte në pushtet Partia Socialiste, vendi nuk ishte më pak i korruptuar," - shkruhet ndër të tjera në gazetën “Der Standard”
“Canale 5”
Televizioni italian, “Canale 5”, në edicionin informativ të mesditës së djeshme, ka transmetuar sërish pamjet e vrasjes së një prej demonstruesve të 21 janarit, duke dhënë një tjetër version të ngjarjes. Bëhet fjalë për një tjetër të dyshuar. Më poshtë vijon kronika e plotë. “A ju kujtohet njeriu që u vra pikërisht në këtë vend? Shikoni me kujdes në këto pamje njeriun që gjendet afër tij. Këtë thinjoshin. Mjafton ta shohësh në një këndvështrim tjetër dhe kuptohet që bën një lëvizje me dorë. Burri rrëzohet dhe ai pa reaguar fare largohet qetësisht. Këtu ndodh një shkëmbim. Një kalim dorë më dorë i diçkaje në mënyrë të fshehtë, ndoshta i një pistolete, arma që mund të ketë qëlluar dhe ky djalë që e merr dhe ikën duke vrapuar. Këto pamje kanë tronditur të gjithë opinionin publik dhe ekuilibrin e brishtë të politikës shqiptare dhe alarmuar gjithnjë e më shumë të gjithë Europën. Militantë të armatosur, policë civilë, njerëz të infiltruar mes turmës siç është edhe ky që po shihni në këto pamje që ka një armë në pjesën e pasme të pantallonave që futet mes protestuesve. Pamje të tjera tregojnë gardën e republikës duke qëlluar jo vetëm në ajër. Por kryeministri i vendit Sali Berisha vazhdon të mbrojë ushtarët. Sali Berisha: “Ishte një grusht shteti i organizuar dhe i udhëhequr nga lideri i opozitës. Për pesë orë në 21 janar, zyra e kryeministrisë u rrethua nga banditë, kriminelët, trafikantët dhe të droguarit të udhëhequr nga godina përballë kryeministrisë direkt nga zoti Edi Rama”, – përfundon kronika e të dërguarës së posaçme të “Canale 5” në Tiranë.
25 Janar 2011