Mediu: Letra për Shkëlzen Berishën?! S’kam pasur dijeni, as njoftime për parregullsi në Gërdec

Pas përfundimit të seancës gjyqësore për tragjedinë e Gërdecit, ish-Ministri i Mbrojtjes, Fatmir Media ka mohuar edhe njëherë se ka përgjegjësi ligjore në lidhje me ngjarjen. Në një komunikim për mediat, Mediu u pyet edhe një lidhje me një shkresë që është gjetur në vitin 2007 në Ministrinë e Drejtësisë, kohë në cilën ministër ishte Aldo Bumçi, ku shkruhej me shkrim dore “për Shkëlzen Berishë”. Mediu mohoi se kishte patur dijeni në lidhje me këtë shkresë, teksa theksoi se vendimet për demontimin dilnin vetëm nga Ministria e Mbrojtjes.
“Nuk kam qenë në dijeni të këtij dokumenti asnjëherë, jam vënë në dijeni pasi ka ndodhur ngjarja nga ato që kanë dalë në media dhe nuk ka asnjë arsye që të vihem në dijeni sepse nuk ndikon në asgjë në marrëdhëniet e mia sepse unë vendimin e kisha marrë”, u shpreh ai.
Mediu e konsideroi procesin gjyqësor të parregullt, teksa tha se kanë mbaruar edhe afatet ligjore. Po ashtu ai theksoi se gjatë kohës që ka qenë në detyrën e Ministrit dhe jepte urdhra, nuk është njoftuar në asnjë moment, sipas tij, për probleme në Gerdec.
“Gjykata e Lartë ka thënë që nuk ka pezullim parashkrim për ekzekutimin e dënimit, që do të thotë që një njeri i dënuar i cili fshihet për t’i shpëtuar dënimit, pas një kohe është i pafajshëm. Për mua për 10 vite nuk ka patur asnjë akuzë, për më tepër kam qenë këtu dhe kjo shkelje është tërësisht flagrante për një njeri që prezumohet i pafajshëm. Ka dhe një gjë tjetër thelbësore, të barazisë së palëve në proces gjyqësor dhe kjo ka të bëjë me thirrjen e dëshmitarëve.
SHBA që na bënë ne anëtarë të NATO-s na kanë mësuar që FA janë një strukturë e veçantë dhe bazohen në një ligj të veçantë të cilat tregojnë se kur je Ministër Mbrojtje jep një urdhër, përcakton komanda apo drejtori për zbatim dhe ato janë të detyruara ta zbatojnë ose jo kur nuk është i ligjshëm. Ministri nuk ka patur asnjë moment të vetëm kur është njoftuar se ka diçka që nuk shkon në Gërdec. Nuk ka asnjë moment të vetëm kur Ministri të jetë njoftuar, qoftë edhe gojarisht”, deklaroi Mediu.
/rtsh.al/