E Hënë, 2 Nëntor 2026

Mehmetaj: Gjykata Speciale nuk i qëndron më ligjit që e themeloi, protestat të domosdoshme

Analisti Lirim Mehmetaj ka komentuar zhvillimet e fundit lidhur me protestat në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët ndodhen në paraburgim në Hagë. I ftuar në emisionin “3D” në RTSH, të moderuar nga Alban Dudushi, Mehmetaj tha se mbajtja e protestave është një akt vëllazëror dhe i domosdoshëm në këtë fazë.

“Mbajtja e protestës është vëllazërore. Gjykata Speciale sot nuk i qëndron më ligjit mbi të cilin është themeluar. Vullneti ekziston edhe për të hequr akuzat e pabazuara të Dick Marty-t,” deklaroi ai.

Spahiu tha se elita politike e Kosovës, në kohën kur u themelua Gjykata Speciale, nuk pati asnjë mëdyshje që veprimtaria ushtarake e UÇK-së të hetohej, por që zhvillimet e viteve të fundit sipas tij e kanë ndryshuar ndjeshëm perceptimin.

“Pse po protestohet tani dhe jo më herët? Sepse pas disa vitesh, me disa dënime të tmerrshme, kjo gjykatë ka dhënë sinjale dhe mesazhe që ngjallin dyshime të mëdha për drejtësinë e saj. Prandaj ka lindur nevoja për këto protesta,” tha Mehmetaj.

Ai theksoi se këto protesta nuk janë pa efekt, përkundrazi kanë ndikim të drejtpërdrejtë.

“Këto protesta ndikojnë shumë te Gjykata. Së pari, sepse sponsorizuesi i kësaj gjykate është Bashkimi Europian. Kur kundërshtimi rritet dhe bëhet i dukshëm, ai bëhet lajm edhe për BE-në. Dhe më pas, mund të ndikojë në drejtësinë që do të zbatohet,” shtoi analisti.

Në përmbyllje, ai theksoi rolin kyç të qytetarëve duke nënvizuar se “Nëse nuk angazhohemi, problemi nuk dëgjohet. Të vetmit që mund ta ndryshojnë situatën për mirë janë vetë qytetarët, populli”.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›