E Diel, 1 Nëntor 2026

Mehmeti i Malmos vrapon më pak, shënon më shumë

Malmo, 17 gusht - Sulmuesi kosovar Agon Mehmeti ka treguar fshehtësinë e shkëlqimit në kampionatin e Suedisë. Ai ka thënë se nuk është duke vrapuar pa nevojë dhe kështu po arrin të ruajë freskinë deri në fund të ndeshjeve dhe të shënojë gola. Me gjashtë gola të shënuar, 20-vjeçari Mehmeti është realizatori i parë i Malmos, skuadër kjo që po lufton për titull në Suedi.
"Në të kaluarën kam vrapuar shumë dhe jam lodhur  shpejt. Tani jam bërë shumë më i mençur kur bëhet fjalë për vrapime dhe kjo po tregohet e suksesshme", ka thënë Mehmeti në një intervistë për gazetën suedeze "Aftonbladet".
Reprezentuesi i shpresave të Suedisë, Mehmeti të dielën shënoi në fitoren 2:0 kundër Gefles. Në të vërtetë, ky takim kishte nisur të shtunën, por ishte ndërprerë pas pjesës së parë për shkak të reshjeve të mëdha të shiut. Ndeshja ishte ndërprerë te rezultati 1:0 në të mirë të Malmos, dhe të dielën është zhvilluar nga fillimi. Mehmeti kishte shënuar golin e vetëm në takimin e anuluar. Ai këtë edicion është duke u paraqitur pothuajse rregullisht në përbërjen bazë të Malmos, për ndryshim nga kampionati i kaluar kur aktivizohej nga stoli.
Pas javës së 19-të, Malmo ka 42 pikë, vetëm një më pak se lideri, Helsingborgu.
Sulmuesi kosovar vlerëson se Malmo ka gjasa të mira të tejkalojë Helsingborgun dhe në fund të fitojë titullin e kampionit. Ai pret që dueli i drejtpërdrejtë me liderin të vendosë për titull.
"Duhet të vazhdojmë garën tonë deri në fund dhe t'i qëndrojmë afër liderit. Kemi shumë ndeshje para përballjes direkte dhe gjithçka mund të ndodhë", ka shtuar Mehmeti.
Mehmeti ftohet rregullisht në U-21 të Suedisë. Në pesë ndeshjet e deritashme ka shënuar një gol. Ky është viti i tretë i Mehmetit në Superligën suedeze. Vitin e kaluar ka shënuar pesë gola, ndërsa në vitin 2008 vetëm tri. Pjesë e Malmos është nga viti 2001.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›