Menopauza dhe shëndeti i gruas, mjeku: Fazë delikate që kërkon kujdesin e duhur

Menopauza është një proces natyral në jetën e çdo gruaje, por shpesh shoqërohet me shqetësime fizike dhe emocionale. Sipas mjekëve, kjo është një fazë delikate në jetën e një gruaje që kërkon kujdesin e duhur. Mjeku obstetër-gjinekolog Namik Kameri shpjegon më shumë rreth kësaj faze delikate.
“Menopauza është një periudhë kalimi nga një gjendje riprodhuese tek gruaja në një gjendje joprodhuese. Zakonisht ndodh mes moshës 48–55 vjeç. Ngushtimi i enëve të gjakut që ndodh në këtë periudhë shoqërohet me fenomene si ndjenja e nxehtësisë, skuqje të fytyrës dhe të qafës. Mund të ketë pagjumësi apo edhe nervozizëm”, renditi mjeku obstetër-gjinekolog.
Si ndikon menopauza në shëndetin e kockave dhe të zemrës?
“Zakonisht fillojnë problemet me osteoporozën, pra një humbje e madhe e masës kockore. Ka gjithashtu luhatje të tensionit dhe mund të shfaqen rrahje të shpeshta të zemrës”, tha gjinekologu.
Mjeku tregon se kur është e nevojshme terapia hormonale dhe kur rekomandohet ajo.
“Trajtimi është me medikamente, pra hormonal dhe simptomatik. Duhet të jesh shumë i kujdesshëm në përdorimin e tij”, theksoi mjeku obstetër-gjinekolog.
Ndër mënyrat më të mira për të lehtësuar simptomat, mjeku sugjeron edhe mjekimet bimore.
“Ka edhe mjekime bimore që qetësojnë shenjat si djersitja apo pagjumësia”, u shpreh mjeku.
Me kujdes mjekësor dhe mbështetje, kjo fazë e jetës mund të përjetohet në mënyrë të shëndetshme dhe të qetë.
Gazetare: Blerta Cina
/rtsh.al/