Mërgimtarët drejt Kosovës, kolona të gjata dhe pritje disaorëshe në kufijtë e Kroacisë

PRISHTINË, 2 gusht/ATSH/ Ambasada e Kosovës në Zagreb konfirmoi pritjet në territorin e Kroacisë, në vendkalimet kufitare me Malin e Zi dhe me Serbinë.
Në njoftim thuhet se në kufirin ndërmjet Kroacisë dhe Malit të Zi, saktësisht në pikën kufitare Kasasovici, pritjet për hyrje arrijnë deri në katër orë, ndërsa për dalje po ashtu disaorëshe dhe me kolonë disa kilometra, ndërsa, në pikën tjetër kufitare të Kroacisë Vitaljina, pritjet në dalje janë gjithashtu deri në rreth katër orë.
Edhe në kufirin ndërmjet Kroacisë dhe Serbisë, në pikën kufitare Bajakovo, pritjet arrijnë deri në tri orë dhe se në të gjithë territorin kroat janë evidentuar kolona të gjitha në pothuajse të gjitha autostradat.
Sipas ambasadës së Kosovës në Kroaci kryetari i Komunës së Konavlës në të cilën gjendet dy vendkalimet kufitare, Bozho Lasiq, ka aktivizuar Shtabin e Mbrojtjes Civile.
“Është bërë thirrje banorëve lokal që të shtyjnë të gjitha udhëtimet me automjete personale që nuk janë të domosdoshme, me qëllim uljen e bllokimeve dhe rritjen e sigurisë në trafik. Ndërsa policia po devijon një pjesë të qarkullimit në rrugë alternative, banorët lokalë po ndihmojnë udhëtarët duke u shpërndarë ujë dhe duke u ofruar përdorimin e tualeteve. Gjithashtu, në kufirin ndërmjet Kroacisë dhe Serbisë, në pikën kufitare Bajakovo, pritjet arrijnë deri në tre orë”, thuhet në njoftimin e Ambasadës.
“Situata ka ndikuar edhe në transportin publik, duke shkaktuar vonesa të konsiderueshme në orare. Bashkatdhetarë të cilët gjatë ditës së djeshme kanë shfrytëzuar shërbimet e Stacionit të Autobusëve në Zarë, kanë kontaktuar me Ambasadën e Republikës së Kosovës në Zagreb dhe bëhet e ditur se vonesat arrijnë deri në 3 orë”, thuhet në njoftim të ambasadës, duke iu rekomanduar udhëtarëve dhe transportuesve që gjatë planifikimit të udhëtimeve të marrin parasysh vonesat dhe kufizimet aktuale. /Kosovapress/