E Diel, 1 Nëntor 2026

Mërgimtarët e Rahovecit, ndihmojnë 25 familje skamnore me nga 100 euro

Mërgimtarë e Shoqatës Kulturore “Anadrini” me seli në Eferding të Austrisë, kanë gëzuar 25 familje skamnore me nga 100 euro në Rahovec. Kryetari i Rahovecit, Smajl Latifi, falënderoi mërgimtarët për kujdesin e treguar, si dhe shprehu kënaqësinë që kjo shoqatë kulturore e sportive është shumë aktive në Austri.

“Jam i kënaqur që këta bashkëvendës tanë janë kaq mirë të organizuar dhe kanë mundur të ndajnë mjete nga të ardhurat e tyre për familjet në nevojë në Rahovec. Ky është një shembull i mirë i kujdesit njerëzor, prandaj ne i përgëzojmë për këtë lehtësim të barrës së varfërisë ndaj kësaj kategorie të shoqërisë tonë me rastin e Fitër Bajramit”, tha Latifi, shkruan prizrenipress.

Sipas tij, ndihma e mërgimtarëve nga Eferdingu është më e gjerë, pasi që ata kanë iniciuar binjakëzimin e Rahovecit me këtë rajon bujqësor të Austrisë.

Arkëtari i “Anadrinit” Riza Mustafa, ndërkaq bëri apel te të gjithë mërgimtarët që kanë mundësi që të ndajnë një pjesë të të ardhurave për familjet skamnore në Kosovë, pasi që numri i tyre nuk është i vogël. Sekretari i Shoqatës “Anadrini”, Bujar Kryeziu, premtoi se kjo nuk do të jetë ndihma e parë për skamnorët. “Kjo nuk do të jetë ndihma e vetme për bashkëvendësit tanë, mirëpo anëtarët e shoqatës do të angazhohen që ta thellojnë bashkëpunimin me vendlindjen”, tha Kryeziu./Indeksonline/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›