Merkel: BE-ja do të vazhdojë punimet për Unionin Doganor me Turqinë

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, tha se Bashkimi Evropian (BE) do të vazhdojë punimet lidhur me përditësimin e Unionit Doganor me Turqinë.
Në një deklaratë pas përfundimit të bisedimeve të ditës së parë të Samitit të Liderëve të BE-së, Merkel vuri në dukje se në samit u zhvilluan bisedime të detajuara lidhur për marrëdhëniet me Turqinë.
Merkel tha se Komisioni i BE-së dha një raport, i cili është pranuar, lidhur me atë se në çfarë mënyre mund të zgjatet marrëveshja për migracionin me Turqinë dhe se kjo ka të bëjë me financimin e fondit shtesë prej 3 miliardë eurosh.
“Do të vazhdojmë punimet për Unionin Doganor dhe sigurisht që edhe nga Turqia presim sjellje konstruktive. Gjithashtu kemi vërejtur edhe përmirësim lidhur me situatën në Mesdhe”, tha Merkel.
Po ashtu, Merkel ka bërë të ditur se është diskutuar edhe çështja e Rusisë, se në çfarë kushtesh do të kalohet në komunikim dhe do të bashkëpunohet me këtë vend. Ajo informoi se kanë kryer punime mbi formatet dhe kushtet për fillimin e dialogut me Rusinë.
Duke tërhequr vëmendjen se nuk është mundur të arrihet një marrëveshje për kryerjen e një takimi menjëherë në nivel të liderëve, Merkel u shpreh: “Për mua është e rëndësishme të ruhet formati i dialogut dhe të punohet mbi të. Personalisht do të dëshiroja që këtu të hidhej një hap më i guximshëm”.
Pasi tha se në samit kishte diskutime lidhur me ligjin e Hungarisë për homoseksualitetin, kancelarja Merkel deklaroi: “Këtu të gjithë kemi theksuar se cilat vlera themelore ne ndjekim. Me ligjin në Hungari do të merret Komisioni i BE-së”./AA