Merkel mbërrin në Greqi, protesta dhe tension në rrugët e Athinës
Kancelaria gjermane Angela Merkel ka mbërritur në Athinë dhe është pritur me nderimet më të larta nga kryeministri grek, Antonis Samaras. Avioni i saj zbriti në aeroportin e Athinës në orën 13:20, e vetëm 40 minuta më pas Merkel dhe Samaras filluan takimin zyrtar. Në orën 16:45 kancelarja do të pritet nga presidenti Karolos Papulias, dhe para se të largohet nga Athina do të marrë pjesë në një aktivitet të Dhomës greko-gjermane të tregtisë, në hotelin Hilton.
Shumë analistë presin që kancelarja të ripohojë qëndrimin e saj për Greqinë brenda eurozonës, megjithatë vizita e Merkel nuk është mirëpritur nga qytetarë grek. Zyrtarja e lartë gjermane ka gjetur në Athinë një atmosferë aspak miqësore nga mijëra protestues që e konsiderojnë kancelaren si shkakun e recensionit të thellë dhe të politikave shtrënguese ekonomike që ajo i imponon vendit të tyre.
Gjatë rrugës për në kryeministri, protestuesit kanë hedhur shishe dhe mjete të forta në drejtim të autokolonës së Merkel, ndërsa në shesh është djegur dhe shkelur flamuri me simbolet naziste. Policia greke ka ndërmarrë masa të ashpra të sigurisë në kuadër të vizitës së kancelares. Në kryeqytet janë ndaluar tubimet megjithatë tensionet janë mjaft të larta. Mbi 7 mijë agjentë janë angazhuar në një operacion sigurie të paprecedent për 6 orët e qëndrimit të kancelares gjermane në Athinë. “Kancelaria shkon në Greqi për të shprehur mbështetjen e saj për qeverinë për reformat e shumëkërkuara implementimi i të cilëve ka filluar pjesërisht”, bën të ditur zyra për shtyp e kancelares që thekson se “zonjë Merkel është e vetëdijshme se vendi po përballet me shumë vështirësi dhe detyra të dhimbshme.”
9 Tetor 2012 (gazeta-Shqip.com)
Merkel mbërrin në Greqi, protesta dhe tension në rrugët e Athinës burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip