E Shtunë, 31 Tetor 2026

Merkel mberrin ne Prishtine

Pritet me një ceremoni shtetërore në aeroportin "Adem Jashari" të Prishtinës kancelarja gjermane Angela Merkel.Pas zbritjes nga avioni, kancelarja u takua me kryeministrin e Kosovës Hashim Thaci, ndërsa banda frymore luajti himnet e dy vendeve, Gjermanisë dhe Kosovës.

Pritet që pas disa minutash, Merkel të zhvillojë një konferencë për media me Thacin, në ambientet e aeroportit ndërkombëtar të Prishtinës.

Edi Sejdiu, shef i protokollit të Kryeministrit, ka thënë për Top Channel nëpërmjet telefonit se “kjo mund të quhet një vizitë historike”, dhe se “janë marrë të gjitha masat për një pritje madhështore të kancelares gjermane”.

Gjatë qëndrimit të saj disa orësh, ajo do të mbajë takime të ndara edhe me komandantin e KFOR-it, gjermanin Erhard Drews, me kreun e EULEX-it, Xavier Bout de Marnhac, dhe përfaqësuesin e Bashkimit Europian, Fernando Gentilini.

Vizita e Kancelares gjermane në Kosovë, vjen vetëm pak ditë pasi ajo kundërshtoi fuqishëm marrjen nga ana e Serbisë të statusit të vendit kandidat për anëtarësim në BE, për shkak të politikës së saj ndaj Kosovës, duke e kushtëzuar me normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën. Kjo kishte bërë që faqet e gazetave, dhe jo vetëm, të mbushen me shprehjen “Faleminderit Gjermani”.

Nga ana tjetër, analistët politikë thonë se vizita e kancelares Merkel në Kosovë, para së gjithash është e motivuar të bëhet pas incidentit që pjesëtarët e KFOR-it gjerman patën ditë më parë në veri të Kosovës me banoret serbë në barrikada.

Kancelarja gjermane pati dënuar ashpër sulmin e protestuesve serbë ndaj trupave paqeruajtëse të KFOR-it më 28 nëntor të këtij viti, duke kërkuar llogari edhe nga Serbia për rolin që ka pasur në këtë mes.

“Serbia gjithashtu akuzohet për kontributin që ka dhënë ditët e fundit në këtë atmosferë, në të cilën paqeruajtësit gjermanë në veri u sulmuan dhe u plagosën. Unë them se kjo është e papranueshme”, ishte shprehur zonja Merkel para autoriteteve gjermane.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›