Merr fund makthi për Dani Alves, Apeli rrëzon dënimin për përdhunim

Pasi kaloi mbi një vit në burg, Dani Alves u lirua nga akuza për sulm seksual ndaj një vajze në klubin e natës Sutton në Barcelonë.
Seksioni i Apelit i Gjykatës së Lartë të Katalonjës, i përbërë nga tre gra dhe një burrë, pranoi ankesën e ish-mbrojtësit të krahut në lidhje me atë që ndodhi më 31 dhjetor 2022 pasi vendimi i Gjykatës së Barcelonës përmban “një sërë boshllëqesh, pasaktësish, mospërputhjesh dhe kontradiktash mbi faktet, mbi vlerësimet e pasojave ligjore dhe mbi vlerësimin e tij”.
Alves shpallet i pafajshëm për akuzën e përdhunimit dhe për momentin avokatët e tij nuk kanë saktësuar nëse do të kërkohet apo jo një dëmshpërblim për prishje të imazhit.
Ish-lojtari i Barcelonës u dënua me 4 vjet e gjysmë burg, por doli nga burgu më 25 mars 2024 pasi pagoi garancinë prej 1 milion euro.