E Diel, 1 Nëntor 2026

Mersini: Vlora “zgjohet” e qetë pas shirave të dendura të natës së mbrëmshme

TIRANË, 11 tetor /ATSH/ Qyteti i Vlorës u përfshi nga reshje të dendura shiu, që sollën përmbytje gjatë natës në disa prej rrugëve të qytetit, duke vështirësuar lëvizjen e automjeteve dhe këmbësorëve.

Situata u bë edhe më shqetësuese për shkak se hidrovori i qytetit nuk është në funksion të plotë për shkak të punimeve për rikonstruksionin e tij, ku në funksion janë 2 pompa nga 4 që janë gjithsej. Në këto kushte, Vlora mbetet e rrezikuar nga përmbytjet sa herë që përballet me reshje të dendura shiu.

Një tjetër problem që ndikon në krijimin e situatave të tilla është gjendja e rrjetit të kanalizimeve dhe evakuimi i ujërave të shiut, të cilat në disa zona nuk arrijnë të largohen me shpejtësinë e nevojshme.

Përmbytjet e përsëritura kanë rikthyer shqetësimin për infrastrukturën e kullimit të ujërave në qytet.

Në këto kushte strukturat e bashkisë Vlorë janë përqendruar për eliminimin e problematikave që vijnë nga reshjet, dhe mëngjesi i së dielës e ka gjetur qytetin me rrugë të pastra e pa problematika në qarkullim.

Kryebashkiakja e Vlorës Brunilda Mersini ka publikuar një video në rrjetet sociale ku shihet sistuata e rrugëve të qytetit bregdetar ditën e sotme.

“Me qytetin që është zgjuar i qetë pas shirave të dendur të natës së mbrëmshme, paçi një të diel të gëzuar!”, shkruan Mersini.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›