Mes përplasjeve dhe shpërthimit të kapsollave, miratohet për 8 minuta buxheti me paketën fiskale! Çfarë ndodhi në Kuvend

Kanë mjaftuar vetëm 8 minuta për të votuar nen për nen buxhetin e vitit 2024 dhe paketën fiskale.
Kartonët jeshilë të mazhorancës u ngritën për të votuar, teksa deputetët e opozitës godisnin tavolinat për të sabotuar punën.
Kjo nuk e ka penguar PS-së të votonte ligjin më të rëndësishëm të vitit kalendarik dhe ta miratonte me 74 vota pro.
Sot në sallë, përveç flakadanëve dhe tymuesve nuk munguan as shpërthimet e kapsollave nga ana e deputetëve demokratë.
Asllan Dogjani u përjashtua me urdhër të kryeparlamentares Nikolla nga seanca.
Që në nisje, demokratët u përplasën me gardistët pasi këta të fundit i penguan që të mblidhnin karriget në mes të sallës ashtu siç kishin bërë herët e kaluara.
Gjashtë deputetët demokratë, përfshirë Sali Berishën nuk ishin të pranishëm pasi u përjashtuan për 10 ditë.
Me kërkesë të PS-së u përjashtuan nga seanca Berisha dhe 5 deputetët e tjerë demokratë, Flamur Noka, Gazment Bardhi, Edi Paloka, Elda Hoti Dhe Albana Vokshi.
Sakaq, sot në sallë ishte i pranishëm edhe kryeministri Edi Rama.
10:09: Seanca plenare mbyllet për 8 minuta, miratohet mes kaosit buxheti dhe paketa fiskale
Deputetët e mazhorancës votuan sot nen për nen buxhetin e vitit 2024 dhe paketën fiskale.
Me 74 vota pro, u miratua dhe ligji më i rëndësishëm në një vit kalendarik.
Ishin vetëm deputetët e mazhorancës ata që ngritën kartonat jeshilë.

Seanca u mbyll për 8 minuta pasi opozita vijoi me skenarin për të bojkotuar seancën.
Që në nisje të Kuvendit kur kryeparlamentarja Lindita Nikolla mori fjalën, deputet demokratë filluan t’i binin tavolinave dhe të hidhnin tymuese në sallë.

I pranishëm sot ishte dhe kryeminsitri Rama i cili ka munguar në seancat e fundit, ndëra 6 deputetë demokratë përfshirë Sali Berishën mungonin pasi janë përjashtuar për 10 ditë.

10:09: “O lepurush”, plas ironia mes Spiropalit dhe Baçit:Ti zbukuron kamerën time
Opozita vijon me aksionin e saj për të bllokuar vijimin normal të punimeve. Fillimisht ata kanë tentuar që të bllokojnë foltoren ku janë përplasur me gardistët.
Janë vetë deputetët demokratë që futen live në rrjetet sociale për të treguar situatën në Kuvend. Mes këtyre situatave ka edhe nga ato ku përdoret ironia mes demokratëve dhe socialistëve.
Elisa Spiropali: Luan je kameramani më i talentuar që ka nxjerrë Kuvendi.
Luan Baçi: Të falenderoj për komplimentin Elisa. Sidomos kameran time po e zbukuroni shumë.
Të tjerë deputetë kërkojnë të mos preken nga gardistët.
Deputeti i PD: O lepurush, o lepurush, o lepurush. Ça ka që gërmon ai mo?
Gardisti: E ke të mbyllur o shef.
Deputeti i PD: Fol pra, është e mbyllur.
Gardisti: Është e mbyllur.
Deputeti i PD: Gjuhën e ke me fol?
Gardisti: Është e mbyllur me çelës.
Luan Baçi: Është e mbyllur me çelës? Po me dorë kë prekni?
10:04: Kuvendi nis mes tymit dhe kaosit, ligjet miratohen vetëm nga mazhoranca
Mes tymit dhe tensioneve ka nisur seanca plenare e kësaj të enjte, ku në rend dite është miratimi nen për nen i buxhetit 2024.
Deputetët e opozitës kanë ndezur tymuese ndërsa kryeparlamentarja Nikolla hedh në votim nenen e buxhetit.
I pranishëm në këtë senacë është edhe kryeministri Edi Rama.
Ndërsa pritet që për pak minuta të nisë seanca plenare, ku do miratohet nen për nen buxheti i vitit 2024, deputetët e opozitës i janë nënshtruar një kontrolli të rreptë para se të hyjnë në Kuvend.
Për të parandaluar incidentet dhe kaosin e mundshëm, ligjvënësit e pakicës heqin xhaketat për të kaluar nëpërmjet një pajisje skanimi.
“Kujdesuni nga Elisa sa ka futur shashka”, thotë një prej deputetëve të opozitës, ndërsa kjo e fundit përgjigjet me të qeshur “ka edhe më keq”
Deputetët demokratë duket se kanë vijuar me skenarin edhe ditën e sotme kur pritet miratimi nen për nen në Kuvend i Buxhetit.
Para nisjes së seancës plenare në orën 10:00 ata kanë hyrë në sallë dhe janë përplasur me Gardistët të cilët nuk i kanë lejuar që të grumbullojnë karriget siç kanë bërë gjatë seancave të kaluara.
Megjithatë, mes kaosit dhe përplasjeve fizike, demokratët ia kanë dalë të grumbullojnë karrige në mes të sallës.
Deputeti Bledion Nallbati ka debatuar me gardistët, të cilët i ka akuzur se e kanë goditur.
“Mor qelbësira na thyet dyart me karrige”, tha Nallbati.
Sakaq, deputeti tjetër demokrat, Ervin Salianji ka hipur mbi tavolinë dhe po ndihmon demokratët e tjerë të mbledhin karriget për të mos lejuar nisjen e seancës.
/vizionplus.tv