E Martë, 3 Nëntor 2026

Mesazh për djalin e doganieres, detaje nga shpërthimi në Shkodër, i riu ishte përfshirë në baste online

Vendosja e tritolit një ditë më parë në banesën e 62-vjeçares Frida Sala në Shkodër duket se është një mesazh për djalin e kësaj të fundit.

Burime pranë organit të akuzës bëjnë me dije se një prej pistave ku është përqendruar puna hetimore lidhet me aktivitetin e djalit të doganieres. Policia ka dyshime se eksplozivi është vendosur si një paralajmërim për Dori Salën i cili është i përfshirë në një kompani bastesh online. Lufta mes grupeve kriminale për dominimin e basteve online dyshohet se qëndron pas kësaj ngjarjeje.

Prokuroria dhe policia kanë të dhëna se Sala është menaxheri i serverave të internetit të kompanisë së basteve. Pavarësisht kësaj piste hetimi i riu ka mohuar që të ketë lidhje me aktivitetin e basteve online.

Ngjarja ndodhi rreth orës 3:40 minuta të mëngjesit të një dite më parë kur tritoli shpërtheu në derën e shtëpisë të familjes Sala. Fatmirësisht u shkaktuan vetëm dëme materiale ndërkohë që në banesë ndodhej e gjithë familja.

Efektivët kanë arritur që të sigurojnë pamjet e momentit të autorit të dyshuar i cili vjen me një motor me skafandë në kokë dhe pasi hedh lëndën eksplozive në banesën e familjes Sala largohet me shpejtësi. Nga kamerat policia nuk ka arritur që ta identifikojë autorin deri më tani për shkak të skafandës që mbante në kokë.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›