Mesazhet e Von der Leyen në Shkup/ Prenkaj: Qëllimi i presidentes së KE është të afrojë vendet e Ballkanit Perëndimor me BE

Në kuadër të turit ballkanik, Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen qëndroi të enjten në Shkup ku bisedoi me krerët e lartë shtetërorë për sfidat e këtij vendi lidhur me integrimin evropian. Ajo i ka bërë thirrje të enjten Maqedonisë së Veriut t’i kalojë ndryshimet kushtetuese për ta përmbushur njërin prej detyrimeve vendimtare në rrugën e saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian (BE).
Lidhur me këtë ka folur në “Ballkan Update“, ambasador Albert Prenkaj, i cili ka thënë qëllimi që ka Von der Leyen është të afrojë vendet e Ballkanit Perëndimor me BE.
Ai theksoi se “joshja” financiare mund të lëvizë pozicionin që ka VMRO.
“Është një plan modern, që tenton të afrojë Ballkanin Perëndimor dhe jo vetëm në aspektin ekonomik dhe jo vetëm, ekonomitë e vendeve të BE me tregun e përbashkët të rajonit të Ballkanit Perëndimor me tregun e bashkësisë europiane. Kjo joshje financiare mund dhe të lëviz nga pozicioni në të cilin është qeveria aktuale, ku kemi dhe në koalicion elemente shqiptare, pra VLEN. Tashmë lëvizjet e bashkëpunimit vertikale me Serbinë janë vendosur.
A do të arrijë Von der Leyen që të arrijë të lëvizë, qeverinë e VMRO mbetet të shohim më vonë. Qëllimi i Von der Leyen është që të përafrojë Ballakanin Perëndimor me BE”, u shpreh Prenkaj./abcnews.al