Mësues koordinatorë në shkolla, kujdesen për cilësinë dhe këshillimin e karrierës

Në institucionet arsimore publike të arsimit parauniversitar, janë përcaktuar dy role të reja të mësuesit koordinator të sigurimit të cilësisë dhe mësuesit të këshillimit për karrierën.
Me punën e tyre, këta mësues synojnë jo vetëm mbarëvajtje të zhvillimit të mësimit, por edhe sigurim të cilësisë.
“Është një rol ndihmues brenda kuadrit të shkollës edhe për stafin e drejtorisë, por e lidh cilësinë brenda shkollës dhe më informacionin që përzgjidhet në zyrat arsimore, drejtorinë rajonale, agjencinë e sigurimit të cilësisë, në mënyrë që i gjithë investimi që ka të bëjë me zhvillimin profesional të bëhet në përputhje me nevojat që ka çdo shkollë, qoftë në shkollat urbane, qoftë në rurale”, thotë Gerti Janaqi, Drejtor i Agjencisë së Sigurimit të Cilësisë në Arsimin Parauniversitar.
Sa i përket mësuesve të këshillimit të karrierës, qëllimi kryesor është identifikimi i talenteve të nxënësve dhe orientimi i tyre i hershëm për tregun e punës.
“E parë në dy këndvështrime merr një fokus të veçantë në shkollat 9-vjeçare, pasi identifikimi për karrierën dhe talentin fillon që në klasat e gjashta, për të vijuar me përzgjedhjen për gjimnaz ose arsim profesional në klasat e nënta. Ndërkohë që dimensioni në nxënësit që vazhdojnë gjimnazin fillon diversifikohet pas klasës së dhjetë pasi kemi të bëjmë me përzgjedhjen e degëve në universitete apo kolegjet profesionale”, shprehet Janaqi.
Agjencia kombëtare e Arsimit Parauniversitar ka përzgjedhur 640 mësues, pra 320 për secilin pozicion që do të trajnohen brenda muajit tetor. Mësuesit do të realizojnë aktivitetin e tyre për një periudhë 3-vjeçare, pas së cilës do të ketë një rivlerësim të punës së tyre. /vizionplus.tv