Meta: Bashkëpunimi dhe koordinimi, dominante në qeverinë e majtë
Tiranë- Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, ishte mbrëmë i ftuar në emisionin 5 pyetje nga Babaramo, ku komentoi situatën politike në vend dhe pritshmëritë për të ardhmen, kur në qeveri do të jetë koalicioni i majtë.
Do doja ta nisnim bisedën me takimin që ju keni pasur sot me z. Rama. Për çfarë keni rënë dakord dhe për çfarë keni diskutuar tjetër përveç ndarjes së dy posteve kryesore të shtetit?
Ne jemi takuar për herë të parë, pavarësisht nga komunikimet që kemi pasur përmes bisedave telefonike apo mesazheve, pas 23 qershorit. Por, tani kur pothuajse ka përfunduar procesi, ne kemi rënë dakord për të ndërtuar një kalendar natyrisht edhe bashkëpunimi, i cili do të lehtësojë të gjithë këtë fazë përgatitore dhe tranzicioni. Ne jemi takuar sot me z. Rama dhe elementët kryesorë të kësaj bisede janë bërë të ditura përmes një komunikate për shtyp edhe për opinionin publik.
Ju keni bashkëqeverisur më parë edhe me Partinë Demokratike. Në këto piketa që keni ndërtuar sot me z. Rama, ku ndryshon bashkëpunimi në funksionimin e një koalicioni qeverisës?
Mendoj se ka një ndryshim të rëndësishëm sepse bashkëpunimi me Partinë Demokratike pas zgjedhjeve të vitit 2009 ishte, le të themi, një bashkëpunim i paparashikuar dhe jo i natyrshëm. Ndërsa bashkëpunimi me Partinë Socialiste është një bashkëpunim parazgjedhor, përmes një koalicioni të përbashkët, i cili fitoi 1 milion vota. Dhe së dyti, mendoj se kemi të gjithë kohën dhe kemi ndërtuar një proces tepër të qëndrueshëm, i cili në radhë të parë niset me vullnetin mjaft pozitiv për të dhënë një shembull të ri të konsolidimit të institucioneve në vend dhe për të natyralizuar në mënyrë të veçantë programin e 300 ditëve të para të qeverisjes së ardhshme, përmes konsultave të vazhdueshme, të cilat do të jenë gjithëpërfshirëse.
Në marrëveshjen e kaluar gjatë bashkëqeverisjes me Partinë Demokratike ju kishit 20 për qind të pushtetit. Po në marrëveshjen e re sa parashikohet të keni, po të kemi parasysh se mandatet tuaja janë katërfishuar?
Mendoj se ka një konceptim të ri të koalicionit të bashkëpunimit, i cili mendoj se është i ri në kuptimin e konceptimit të kësaj maxhorance, e sidomos të qeverisë dhe të qeverisjes. Një frymë të përbashkët me qëllim që objektivat që kemi, të cilat janë të përbashkëta, sidomos në drejtim të përmirësimit të ekonomisë dhe të punësimit, përveç gjithë aspekteve të tjera, të arrihen sa më shpejt përmes një qeverie e cila punon si një e tërë. Dhe një frymë e re bashkëpunimi e koordinimi e cila është e domosdoshme për të ecur më shpejt drejt një qeverie që merr vendime dhe që i zbaton vendimet e saj.
Sa ministri do të ketë LSI-a në këtë qeverisje?
Kjo nuk është aspak çështje e rëndësishme, as nuk është diskutuar për arsye sepse së bashku me konkretizimin e programit për periudhën e parë të qeverisjes, pra për nevojat imediate që duhet të plotësojë qeveria e re. Njëkohësisht gjatë kësaj periudhe do të diskutohet në kalendarin e takimeve të konsultave edhe për strukturën e qeverisë së re, e cila është gjithashtu kaq prioritare dhe pastaj do të diskutohet edhe për çështjen e formimit të qeverisë.
Po për strukturën a keni diskutuar?
Jo nuk kemi diskutuar sepse në radhë të parë duhet të fillohet nga realizimi i programit dhe i prioriteteve për të shkuar tek struktura.
Qarkullojnë zëra se nuk do të jetë më 14 numri i ministrive. Ju a do ta ndryshoni numrin e ministrive?
Nuk është kjo çështja më e rëndësishme. Më e rëndësishme është që qeveria të funksionojë me një program të qartë, me një axhendë të përcaktuar për çdo ditë, për 100 ditë, për 200 ditë dhe për katër vitet e që vijnë, me objektiva precize dhe të funksionojë si një e tërë. Sepse në funksionimin e një qeverie ka shumë rëndësi fryma e koordinimit dhe bashkëpunimit sepse ka shumë objektiva që nuk mund të arrihen vetëm me një ministri apo nga një dikaster i veçantë. Pra duhet një frymë bashkëpunimi.
Çfarë kuptoni ju me frymë bashkëpunimi? Si do të jetë ajo?
Do të jetë shumë më ndryshe nga ajo që perceptohet, si një qeveri me disa nënqeveri.
Supozojmë se LSI-së i besohet Ministria e Punëve Publike dhe Transporteve, e gjithë piramida e kësaj do të jetë e drejtuar nga ministri i vendosur nga LSI? Pra nuk do të ketë mbivendosje, sepse p.sh. ishte ministri por kishte edhe një drejtor të PD që kontrollonin apo sulmonin njëri-tjetrin?
Prandaj e kam theksuar që në fillim të kësaj bisede, që fryma e bashkëpunimit dhe e koordinimit do të jetë dominante në qeverinë e re për të arritur objektivat e kësaj qeverie të re. Së dyti, ne nuk jemi votuar për të destabilizuar administratën publike por për ta konsoliduar dhe për ta përmirësuar atë. Që do të thotë se ne do të bashkëpunojmë me të gjithë ata nëpunës civilë në të gjitha nivelet, të cilët kanë treguar dhe tregojnë përkushtim për përmbushjen e detyrave në funksion të ligjit dhe në funksion të përshkrimit të punës së tyre.
Po nëse për shembull ka pasur militantë të cilët kanë shkuar në administratë për shkak se thjesht kanë qenë militantë, ata do të vazhdojnë sërish të mbajnë postet që kanë pasur?
Gjithçka do të bëhet në respekt të ligjit dhe të përmirësimit të efikasitetit të administratës dhe të institucioneve.
Le të kthehemi sërish tek numri i ministrive. A mund të na e konfirmoni që do të ketë një shtim të këtij numri?
Nuk mund të konfirmoj asgjë sepse nuk është diskutuar asgjë dhe nuk është kjo gjëja më e rëndësishme. Mendoj se kemi kohën e mjaftueshme për të arritur një strukturë sa më efikase të qeverisë së re.
Thuhet se LSI nuk do të ketë asnjë nga ministritë që ka pasur në katër vitet e kaluara . Sa e vërtetë është kjo?
Nuk është bërë asnjë diskutim i tillë. Unë e di që tani do të dëgjojmë shumë variante, shumë ide. E di që media do të prodhojë sa më shumë lajme. Por, nuk është diskutuar asnjë çështje e tillë. Janë diskutuar vetëm çështje të cilat janë në komunikatën e sotme të bërë publike dhe për këto çështje po punohet me grupet e punës.
Si e gjykoni ndarjen e mandateve, sipas të cilit kush është ministër nuk do të jetë deputet?
Në thelb, ky është edhe një parim kushtetues, pavarësisht se është e lejueshme me ligj që deputeti të jetë edhe ministër. Mendoj që aplikimi i një parimi të tillë veçse i bën më efikase edhe qeveritë, edhe Parlamentin, aq më tepër po të kemi parasysh që sistemi nuk është mazhoritar, por është një sistem proporcional. Natyrisht, besoj se qeveria do të ketë punë jashtëzakonisht të mëdha, do të ketë një barrë të rëndë të cilat kërkojnë që ata që do të jenë ministra të jenë 24 orë të angazhuar për të bërë detyrën e ministrit. Ndërkohë që Parlamenti do të ketë shumë angazhime, shumë detyrime që do të thotë se edhe deputetët që do të jenë në Parlament, kanë një punë shumë të madhe për të bërë. Njëkohësisht krijohet edhe një raport i ri midis Parlamentit dhe qeverisë, që do të jetë një raport edhe bashkëpunimi, edhe transparence.
Ju ministrat e LSI-së do ti zgjidhni nga grupi parlamentar, apo nga strukturat e partisë, që janë nuk janë deputetë?
Kjo është një çështje për të cilën nuk kam pasur kohë të mendoj dhe natyrisht nuk është një çështje që më takon vetëm mua ta mendoj apo ta vendos. Por, ky parim do të zbatohet për të gjitha forcat politike.
Po z. Rama do ta lërë mandatin e deputetit?
Ai ka qenë i prirur për këtë gjë. Por, unë mendoj se nuk është diçka që bën sens, po të kemi parasysh se do të jetë jo vetëm Kryeministër, por normalisht edhe kryetar i mazhorancës parlamentare, që ka njëkohësisht përgjegjësi për vendimet e grupit parlamentar. Në këtë rast, sipas mendimit tim, kjo nuk ka sens.
Ia keni këshilluar që të mos ta lërë mandatin?
Ky është një mendimi im, të cilin edhe e kam shprehur.
Po ai si ka reaguar? E ka pranuar këshillën tuaj?